Lidhje

Spanjë: Kryeministri Zapatero do ta mbajë premtimin për tërheqjen e trupave nga Iraku - 2004-03-15


Kryeministri i ri i Spanjës Jose Luis Rodrigues Zapatero thotë se synon t’i qëndrojë besnik premtimeve të tij gjatë fushatës elektorale, për tërheqjen e 1 mijë e 300 trupave spanjolle që ndodhen në Irak.

Në një intervistë që i dha sot radios spanjolle, zoti Zapatero e quajti luftën dhe pushtimin e Irakut një katastrofë. Por ai theksoi se vendimi përfundimtar për tërheqjen e trupave spanjolle nga Iraku do të merret pasi ai të fillojë detyrën dhe pas konsultimeve të gjëra politike.

Kryeministri i ri spanjoll, Zapatero, e filloi fjalimin e tij të fitores, duke mbajtur një minutë heshtjeje për viktimat e shpërthimeve të ditës së enjte. Ai theksoi se lufta kundër terrorizmit do të jetë përparësia e menjëherëshme e qeverisë së tij.

Zoti Zapatero tha se trupat spanjolle do të largohen nga Iraku deri më 30 qershor, po qe se Kombet e Bashkuara nuk lëshojnë një mandat të ri për praninë e tyre atje.

Kundërshtimi ndaj mbështetjes që Spanja i dha luftës në Irak ishte një nga çështjet kryesore ku zoti Zapatero e përqëndroi fushatën e tij. Sipas anketave të opinionit publik, shumica e spanjollëve ishin kundër rolit të qeverisë së tyre në koalicionin e Irakut, por sondazhet treguan gjithashtu se kjo çështje nuk do të përbënte një faktor kryesor në zgjedhje. Një javë para zgjedhjeve, Partia e Kryeministrit Jose Maria Aznar pritej të fitonte.

Por kjo ndryshoi pas shpërthimeve të së enjtes në Madrid, të cilat shkaktuan vdekjen e më shumë se 200 personave dhe plagosjen e rreth 1 mijë e 500 të tjerëve. Shumë votues arritën në përfundimin se këto shpërthime, për të cilat fajësohet rrjeti terrorist al-Qaida, ishin rrjedhojë e mbështetjes së Spanjës për luftën në Irak. Disa ishin gjithashtu të zemëruar që qeveria në fillim fajësoi grupin terrorist bask, ETA, dhe vazhdoi t’i përmbahej kësaj piste edhe pas shenjave të para të përfshirjes së al-Qaidës.

Partia Socialiste e zotit Zapatero fitoi diçka më shumë se 42 për qind të votave në zgjedhjet e djeshme. Si rezultat, socialistët fituan 164 vende në parlamentin me 350 deputetë, - 12 vende më pak nga sa i duheshin për të siguruar shumicën.

Partia Popullore në pushtet, e cila fitoi 38 për qind të votave, do të ketë tani vetëm 148 nga 183 vende që mbante.

Parti më të vogla ndanë 38 vendet e mbetura, ndërkohë që një apo më shumë prej tyre pritet të bashkohen me Partinë Socialiste në një koalicion qeveritar.

Fuqia që gëzonte Partia Popullore e kryeministrit Aznar para zgjedhjeve, vinte si rezultat i begatisë ekonomike të Spanjës gjatë qeverisjes së tij 8-vjeçare, periudhë kur papunësia dhe inflacioni u ulën. Qeveria e Partisë Popullore ishte gjithashtu e sukseshme në frenimin e ndjeshëm të veprimtarive terroriste të grupit bask ETA që lufton për pavarësi nga Spanja.

Rreth 77 për qind e më shumë se 35 milionë votuesve spanjollë morën pjesë në zgjedhjet e djeshme, përfshirë disa prej atyre që u plagosën nga shpërthimet e së enjtes.// lk //

XS
SM
MD
LG