Lidhje

Presidenti Moisiu: varfëria dhe diferencat mes zonave gjeografike janë thelluar - 2004-03-16


Presidenti Alfred Moisiu u shpreh sot i shqetësuar për nivelin e lartë të varfërisë në vend dhe ftoi përfaqësuesit e vendeve dhe organizmave dhuruese që ndihmojnë Shqipërinë, që së bashku të përpiqen për gjetjen e mundësive për të kapërcyer këtë fenomen. Fjala e kreut të shtetit dukej qartë se mbante tone kritike ndaj qeverisë dhe veçanërisht rëndësisë që i jepet shifrave të zhvillimit makroekonomik.

Presidenti Moisiu u shpreh se nuk donte të zëvendësonte ekzekutivin, por nëse nuk gjendeshin sipas tij, zgjidhje të pranueshme që të jenë në favor të të gjithë qytetarëve duke iu rikthyer shpresën e të jetuarit dhe punuarit në vendin e tyre, nuk mund të shpresohej në suksesin e reformave integruese që synohen të kryhen.

"Nuk mjaftojnë vetëm shifrat në nivel makro për të shprehur ose jo suksesin e reformave ekonomike është shprehur presidenti sipas të cilit qytetarët shqiptarë duhet ta ndjejnë të gjithë se janë të barabartë të paktën në shpresën e tyre për një të ardhme më të mirë", - tha presidenti.

Presidenti Moisiu ka deklaruar se pavarësisht nga shifrat optimiste të zhvillimit ekonomik në shkallë vendi, ndeshen dy fenomene të papranueshme. Sipas kreut të shtetit varfëria është thelluar në rrafshin social dhe së dyti janë thelluar edhe ndryshimet e zhvillimit ekonomik në rafshin gjeografik. Sipas presidentit Moisiu duhet të arrihet një zbatim sa më i mirë i politikave për luftën kundër varfërisë, duhen nxitur shqiptarët që të investojnë në vendin e tyre dhe të përmirësohen marrëdhëniet e dhuruesve ndërkombëtar me institucionet shtetërore me qëllim rritjen e efektivitetit të investimeve të huaja dhe programeve të dhurimit.

Konstatimet e presidentit Mosiu duket se kundërshtojnë komentet e pak javëve më parë të kryeministrit Fatos Nano, i cili duke iu kundërvënë akuzave të opozitës, u shpreh se varfëria nuk është krijuar gjatë qeverisjes socialiste por është trashëguar nga sistemi komunist dhe sistemi piramidal i Berishës. Sipas kryeministrit, varfëria në vend po vjen duke u reduktuar falë programeve të punësimit, ndërtimit të infrastrukturës, shkëmbimeve të lira në rajon, financimeve të posaçme nga buxheti i shtetit dhe programeve që qeveria ka me FMN-në dhe Bankën Botërore

Aktualisht është në zbatim një strategji për reduktimin e varfërisë dhe që prej vitit 2002 ekziston një marrëveshje me fondin monetar për të, e cila parashikon një mbështetje financiare në formë huaje për një total prej 41,5 milionë dollarësh.// lk //

XS
SM
MD
LG