Lidhje

Zapatero: Spanja nuk do të tërhiqet nga lufta kundër terrorizmit - 2004-03-16


Kryeministri i zgjedhur i Spanjës, Hoze Luis Rodriguez Zapatero, thotë se do t’i tërheqë trupat spanjolle nga Iraku nëse ato dhe forcat e tjera të koalicionit nuk vihen nën kontrollin e Kombeve të Bashkuara.

Zoti Zapatero i tha të hënën radios spanjolle se lufta e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak dhe pushtimi aktual i atij vendi është një katastrofë. Ai tha se ka në plan të sjellë në atdhe një mijë e 300 ushtarët spanjollë nëse forcat e koalicionit nuk vihen nën kontrollin e OKB-së brenda 30 qershorit, kur atje do të marrë pushtetin një qeveri kalimtare irakiane.

Mirëpo, zoti Zapatero ka thënë se vendi i tij nuk do të tërhiqet nga lufta kundër terrorizmit. Zoti Zapatero dhe Partia e tij Socialiste mundën Partinë konservatore Popullore në pushtet në zgjedhjet parlamentare të ditës së diel, vetëm 3 ditë pas shpërthimeve terroriste në Madrid që shkaktuan vdekjen e 200 vetave.

Shumë votues të tronditur dhe të zemëruar spanjollë shprehën mendimin se mbështetja e qeverisë së tyre për luftën në Irak mund të ketë nxitur sulmin.

Ndërkohë, qeveria spanjolle u tërhoq nga qendrimi i saj se grupi separatist bask Eta ishte përgjegjës për shpërthimet e së enjtes. Ambasadori i Spanjës në OKB, Inocencio Arias, thotë në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit, se ato që ai i cilëson si të dhëna të reja i kanë shtyrë autoritetet të hetojnë mundësinë që pas sulmeve të kenë qenë qytetarë të huaj.

Ai nuk përmend me emër individë apo grupe, por janë gjetur të dhëna që sugjerojnë që al-Kaida kishte lidhje me sulmin terrorist. Spanja fajsoi menjëherë grupin Eta për shpërthimet, gjë që çoi në miratimin e një rezolute të Këshillt të Sigurimit, në të cilën fajësohen separatistët baskë.

XS
SM
MD
LG