Lidhje

Një miniplanet i ri; aftësitë riprodhuese; operacion me rreze Lazer - 2004-03-16


Astronomët kanë zbuluar një objekt të kuq në formë të ngjashme me planetet, i cili ndodhet në skajet më të largëta të sistemit tonë diellor ose tre herë më larg nga toka se sa Plutoni, planeti i nëntë i galaktikës sonë. Objekti i zbuluar nga astronomët ndodhet rreth 13 miliardë kilometra larg nga toka. Nasa njoftoi dje(14 mars)se ende nuk është e sigurt natyra e këtij objekti, prandaj astronomët e quajnë atë tani për tani Planetoid. Objektit të ri iu dha emri Sedna, perëndesha e oqeaneve në mitiologjinë e popullsisë Inuite, që banon në zonën e Arktikut. Objekti Sedna është më i vogël se Plutoni dhe sa gjysma e Hënës. Sedna gjithashtu ndodhet nga toka 3 herë më larg se Plutoni. Plutoni është planeti më i largët nga toka i njohur deri tani, i zbuluar në vitin 1930. Objekti i ri, Sedna u zbulua nga astronomi Michael Broun i institutit teknologjik të Kalifornisë dhe nga kolegët e tij pranë agjencisë amerikane të hapësirës. Sedna ka një ngjyrë të kuqe dhe Nasa e quan atë objektin e dytë të kuq në sistemin tonë diellor, pas planetit të Marsit. Një tjetër fakt rreth objektit të ri është se për të kryer një rrotullim rreth diellit atij i duhen afro 10 mijë vjet.

Eksperiment mbi aftësinë riprodhuese

Një studim i ri shkencor i qëndrës mjekësore të universitetit Harvard mund të revolucionarizojë teoritë e deritanishme të aftësisë riprodhuese të femrave. Eksperimentet ndodhen në fazën laboratorike dhe janë bërë me minjtë. Është ende herët të thuhet në se këto përfundime mund të jenë të vlefshme edhe për njerëzit, por shkencëtarët besojnë se studimi përbën një sfidë për mendimin e deritanishëm. Për dekada grave u është thënë se sa më shumë që presin për të patur fëmijë aq më të vështirë do t’a kenë ato për të mbetur shtatzane. Mendimi është se femra lindi me një numër të caktuar vezësh, dhe ndërsa ajo moshohet edhe vezët vdesin me një ritëm gjithnjë e më të shpejtë. Doktor Jonathan Tilli pranë spitalit të përgjithshëm në Boston thotë se prej vitesh ka mbizotëruar ideja se vezët ekzistojnë në një numër të caktuar dhe se ato nuk mund të zevendësohen ose riprodhohen, ndërsa gruaja moshohet. Por një studim i kryer në spitalin e përgjithshëm në Boston i bën sfidë kësaj ideje. Doktor Tilli arriti në përfundimin se gjatë eksperimenteve me minj në laborator u vu re se minjtë femra ishin në gjendje të riprodhonin vezë edhe kur ato moshoheshin. Doktor Tilli zbuloi se kur minjve iu dha një ilaç kimoterapie, qelizat embrionale brenda vezoreve u riprodhuan madje edhe pasi vezët kishin vdekur dhe minjtë ishin në gjendje të lindnin edhe në moshë të madhe. Ky studim mund t’u hapë rrugën metodave të reja për trajtimin e rasteve të mosriprodhimit por tani për tani shkencëtarët thonë se është shumë herët të vendoset nëse të dhënat nga eksperimentet me minj mund të vlejnë edhe për njerëzit.

Metodë e re operimi me reze Lazer

Shkencëtarët po praktikojnë një mënyrë të re për trajtimin e ënjtjes së damarëve të këmbëve, një sëmundje e rrezikëshme nga e cila preken jo vetëm gratë. Kapitenit të aviacionit civil Lari Krip, i pëlqen puna që bën. Ai ka rreth 20 vjet që drejton aeroplanë të firmës Alaska. Ai vuan nga damarët e këmbës dhe në se mjekët nuk bëjnë diçka, ai mund të mos jetë në gjendje të vazhdojë punën si pilot. Qëndrimi ulur qoftë edhe për një orë, bëhet për të tepër i mundimshëm. Damarët e enjtur të këmbëve të tij fillojnë të pulsojnë dhe shkaktojnë dhimbje. Këmbët dhe kyçet i ënjten thuajse dyfish. Ai thotë se shpesh dhimbjet bëhen të padurueshme. Për 15 vjet, Lari ka perdorur korse najloni duke i mbajtur venat të shtrënguara fort. Por ilaçet kundër dhimbjeve dhe korsetë e ngushta të këmbëve ka kohë që nuk japin ndonjë rezultat të mirë. Lari tani shqetësohet se ënjtja e venave mund të bëhet një ditë shkak për bllokimin e qarkullimit të gjakut. Imazhet me ultratinguj tregojnë se në ç’gjendje ndodhen këto vena. Dhe Lari shpreson të përfitojë nga kjo teknologji e re për operimin e venave me reze lazer. Ndërhyrja me reze thuajse nuk ndjehet fare, thotë Lari. Rezet Lazer në këtë rast zevendosjnë bisturinë e kirurgut. Kjo është edhe arsyeja, thotë Doktor Daniel Pepper, që shumë pacientë tani kërkojnë të trajtohen me këtë metodë. Fjala operim i kujton pacientit prerje dhe dhimbje, thotë doktor Pepper. Nëpërmjet rezeve Lazer, venat çahen, dhe pasi bëhet çbllokimi i tyre vendi i çarjes mbyllet përsëri. Shkencëtarët thonë se operacione të tilla me reze Lazer janë të suksesëshme në 95 të rasteve. Shkaktari i ënjtjes së venave nuk dihet dhe në disa raste kjo sëmundje është gjenetike.

XS
SM
MD
LG