Lidhje

Maqedonia, tre vjet pas konfliktit, ende përballet me sfida - 2004-03-17


Ekspertë dhe zyrtarë që merren me çështjet e Ballkanit vunë dje në dukje përparimet e Maqedonisë që nga koha e konfliktit tre vjet më parë, por theksuan se vendi përballet ende me sfida të rëndësishme. Në një diskutim organizuar nga Zëri i Amerikës, pjesëmarrësit vunë në dukje se marrëdhëniet etnike janë ende problematike.

Kathleen Stevens, zëvendës ndihmës sekretare e Shtetit për Çështje Evropiane dhe të Euroazisë tha se në Maqedoni mbeten pa zgjidhur ende shumë probleme dhe theksoi domosdoshmërinë e forcimit të institucioneve. “Mendoj se përmes procesit të integrimit në institucionet evropiane, qëndrueshmërisë në rajon, ekzistojnë mundësitë që të vazhdohet të punohet në gjurmët e përparimit që tashmë është bërë”, tha ajo.

Zonja Stephens theksoi dëshirën e Shteteve të Bashkuara për integrimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike. Ajo tha se pavarësisht nga mosmarrëveshjet për shumë çështje, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë bashkëpunuar ngushtë në Maqedoni. “Mendoj se ka shumë më tepër gjëra që i bashkojnë NATO-n, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, sesa ato që i ndajnë”, tha ajo.

Në takim u shpreh shqetësimi për papunësinë e lartë, korrupsionin, për nivelin e ulët të drejtësisë dhe thanë se janë këto problemet më të mëdha të vendit tani dhe jo mungesa e qëndrueshmërisë.

Megjithatë Edward Joseph, analist në Qendrën Woodrow Wilson, që mori pjesë në diskutim me telefon nga Kroacia ku ndodhet, tha se marrëdhëniet mes maqedonasve dhe shqiptarëve janë ende të vështira.

“Fatkeqësisht, maqedonasit dhe shqiptarët nuk janë në gjendje në nivel vendor dhe për çështje të tjera të bisedojnë me njëri-tjetrin dhe t’i shprehin shqetësimet njëri-tjetrit në mënyrë të hapur. Dhe pa ndodhur kjo, besoj se vënia në jetë e marrëveshjes së paqes, do të jetë e vështirë”, tha ai.

Por a do të ndihmojë synimi, rruga drejt integrimit, në zbutjen e konflikteve etnike në Maqedoni dhe në përgjithësi në rajonin e Ballkanit? Edward Joseph i jep përgjigje kësaj pyetjeje.

“Do të thoja që ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm, por nuk do të jetë një bar çudibërës që do të shërojë gjithë sëmundjet e rajonit, sepse ka disa aspekte ku nuk po zhvillohet dialog mes maqedonasve dhe shqiptarëve në gjithë nivelet, në rrugë, apo mes fqinjësh dhe as anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk mund ta shmangë një gjë të tillë”.

Pjesëmarrësit, duke kujtuar Presidentin Traikovski që vdiq më 26 shkurt në një aksident ajror, thanë se ai la pas një Maqedoni të qëndrueshme.

Ambasadori i Maqedonisë në Shtetet e Bashkuara Nikola Dimitrov tha se me vdekjen e zotit Trajkovski u vu re një unitet që nuk është parë shpesh më parë, që i kapërcen siç u shpreh ai kufijtë politikë dhe etnikë.

Në diskutim u shtrua edhe çështja e Kosovës dhe ndikimi që ka gjendja atje në Maqedoninë fqinjë. Zonja Stephens e Departamentit të Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara janë të interesuara që cilido qoftë statusi i Kosovës, kjo të mos ndikojë tek Maqedonia. Ndërsa ambasadori i Maqedonisë, Dimitrov tha se problemi kryesor i Maqedonisë nuk është nëse Kosova është e pavarur, apo jo, por që ajo të jetë e qëndrueshme. Por ai i kundërshtua nga zoti Joseph, i cili tha se do të ishte mirë për Maqedoninë që Kosova të ishte e pavarur. //kk//

XS
SM
MD
LG