Lidhje

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dënon dhunën - 2004-03-17


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ndodhet këto ditë për vizitë në Shtetet e Bashkuara, ku ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë amerikanë në Departamentin e Shtetit dhe në Këshillin e Sigurimit Kombëtar, pranë Shtëpisë së Bardhë. Zoti Thaçi, ishte i ftuar nga Zëri i Amerikës për një intervistë të drejtpërdrjetë në emisionin ”Ditari”

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, para se të fillojmë të bisedojmë për viziten tuaj dhe takimet që keni zhvilluar këtu në Washington, le te ndalemi pak tek zhvillimet e sotme në Mitrovicë, ka patur përleshje, disa të vdekur dhe dhjetra të plagosur. Sa shqetuese janë këto zhvillime?

Hashim Thaçi: Këto zhvillime janë majft shqetësuese për Kosovën dhe për angazhimet e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë. Fillimisht dua t’ju shpreh ngushëllimet të gjitha familjeve të viktimave që sot kanë rënë në këto trazira në Kosovë, por edhe shërim të të plagosurve. Janë trazira që nuk i shkojnë për shtat Kosovës, zhvillimeve politike në vend dhe vlerësojë se gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kuptojnë se zgjidhjet e problemeve arrihen përmes institucioneve dhe jo përmes protestave e demonstratave. I kuptoj shqetësimet reale të tyre, por qytetarët duhet të largohen nga protestat, nga demonstratat, nga rruga në mënyrë që t’i kthehen jetës së tyre normale për vazhdimin dhe ndërtimin e rendit demokratik në Kosovë. Gjithashtu kërkoj nga UNMIKU që të jetë më i ekuilibruar në reagimet e veta. Janë të dënueshme të gjitha veprimet e dhunshme kushdoqoftë që i ka kryer ndaj shqiptarëve apo serbëve, por duhet kuptuar gjithashtu se qyteti i Mitrovicës duhet të bashkohet përfundimisht dhe duhet të shkapërderdhën institucionet paralele serbe. Duhet që të ndodhë deenklavizimi, nuk duhet asesi të lejohet procesi i kantonizimit të Kosovës. Ne pajtohemi plotësisht me parimin qytetar të decentralizimit e në të njëjtën kohë të integrimeve, por asesi, nuk duhet të lejojmë që të ndodhin trazira në Kosovë, sepse këto trazira nuk i shërbejnë paqes, stabilitetit dhe integrimit të vendit tonë në strukturat ndërkombëtare e gjithashtu e pengojnë dhe fillimin e zgjidhjes së statusit politike të Kosovës. Dhe më vjen shumë keq sot, kur kemi një progres dhe ky progres përshëndetet edhe prej Uashingtonit, edhe prej Brukselit, dhe në të gjitha takimet që kam patur në Uashington, dhe në Departamentin e Shtetit, dhe në Këshillin e Sigurimit Kombëtar, edhe në Pentagon është përshëndetur prograsi i të gjithëmbarshëm shoqëror dhe institucional në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, ju folët për disa sugjerime për ndarjen e Mitrovicës, ndarjen e Kosovës, gjë që as komuniteti ndërkombëtar, as shqiptarët nuk e kanë pranuar. Mirëpo a mund të flisni për një zgjidhje të mundshme, që të paktën, për Mitrovicën për shembull, do të plotësonte kërkesat minimale të serbëve dhe të shqiptarëve.

Hashim Thaçi: Mitrovica është problem i Kosovës. Mitrovica nuk është një problem që duhet veçuar. Ne nuk mund të hyjmë në zgjidhje parciale të problemit në Kosovë, thjeshtë e vetmja zgjidhje për Kosovën është fillimi i zgjidhjes përfundimtare të statusit politik të Kosovës, pavarësia e Kosovës. Pavarësia zgjidh shumicën e problemeve në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Por kjo është një zgjidhje e papranueshme për serbët...

Hashim Thaçi: Përderisa statusi politik i Kosovës është i padefinuar, atëherë do të mund të ketë vazhdimisht probleme, do të mund të ketë vazhdimisht kriza sociale, moszhvillim ekonomik, është kjo gjë po ndikon në jetën e qytetarëve dhe natyrisht e ka rritur dhe padurimin e qytetarëve për gjendjen në të cilën gjendemi sot në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, të kthehemi tek vizita e juaj këtu në Uashington, bisedimet që keni zhvilluar këtu. Si i cilësoni këto bisedime dhe çfarë mesazhi keni marrë nga pala amerikane? Ju jeni takuar me numrin dy në Departamentin e Shtetit, për shembull. Këto janë takime të një niveli shumë të lartë.

Hashim Thaçi: Unë i vlerësoj këto takime si shumë të rëndësishme. Kanë qenë pritje të përzemërta edhe në Departamentin e Shtetit, edhe në Këshillin e Sigurimit Kombëtar, edhe në Pentagon, edhe me të gjithë mekanizmat e tjerë institucional të qeverisë amerikane me të cilat kemi patur kontakte. Kemi patur një takim të shkëlqyer me zotin Grossman, me të cilin shkëmbyem ide për implementimin e standarteve për Kosovën. Është përshëndetur nga qeveria amerikane përmes zotit Grossman progresi i arritur në Kosovë dhe vlerësoj se jemi në rrugë të mbarë të implementimit të këtyre kritereve si të domosdoshme që në mesin e vitit 2005 të hapet përfundimisht zgjidhja e statusit politik të Kosovës. Për këtë arësye vlerësoj se ne duhet të prezantojmë, dhe unë sot kam prezantuar ofertën e Kosovës për shtetin e pavarur dhe sovran që duhet të njihet nga komuniteti ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, a mund të na jepni disa hollësi lidhur me fjalën që keni mbajtur sot në Institutin e Paqes dhe për atë që ju e cilësoni si vizionin tuaj për Kosovën?

Hashim Thaçi: Thjeshtë unë kam prezantuar vizionin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës për shtetin e Kosovës. Në vitin 2005 do të hapet çështja e zgjidhjes së statusit. Ne nuk guxojmë të lejojmë veten që vera e vitit 2005 të na gjejë të papërgatitur. Ne duhet të kemi projektin tonë dhe ky projekt është një projekt real, është një projekt i drejtë që përputhet me interesat e qytetarëve të Kosovës, që respekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës, që respekton përfshirjen e ndërkombëtarëve në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe rajonit në përgjithësi. Kështu që vizioni për shtetin e Kosovës vlerësoj se është një vizion më real, më i drejtë, në kohën e duhur, i prezantuar në vendin e duhur dhe më vjen mirë se ka reflektime pozitive për vizionin, sepse për ne do të jetë çdo zgjidhje tjetër e papranueshme përveç pavarësisë. Ne nuk mund të jemi peng e zhvillimeve në Beograd, ne nuk mund të jemi peng e hezitimeve të ndokujt tjetër që do të mund të kërkojë vazhdimin e status-kuosë. Thjeshtë viti 2005 është viti përfundimtar i zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe duhet të jetë pavarësia e vendit. Për këtë arësye duhet të fokusohemi që obligimet tona t’i kryejmë dhe t’i bindim ndërkombëtarët se në Kosovë duhet të qartësohet thjeshtë çështja e statusit politik të Kosovës, sepse kjo po ndikon edhe në moszhvillimin ekonomik, edhe në mosarritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe më vjen shumë keq sot, ta zëmë, kur të rinjtë kosovarë emigrojnë jashtë, sepse nuk shohin prespektivë në vend. Ne nuk mund të vazhdojmë edhe më tutje me një gjendje të tillë të status-kuos, të moszhvillimit ekonomik, të mosfuqizimit të institucioneve demokratike të Kosovës dhe, mbi të gjitha, ne nuk mund të jemi i vetmi vend pa status në rajon. Ky status duhet të jetë Kosova e pavarur e integruar në strukturat euroatlantike.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi a jeni optimist se ju, me një fjalë shqiptarët e kosovës do të përmbushni standartet që janë përcaktuar nga bashkësia ndërkombëtare?

Hashim Thaçi: Standartet për Kosovën nuk janë standarte vetëm për shqiptarët. Standartet për Kosovën janë standartë për të gjithë qytetarët dhe institucionet e Kosovës. Janë standarte për ngadhnjimin e dmeokracisë qytetare. Vlerësoj se është arritur progres edhe në dialogun Prishtinë-Beograd dhe me gjithë fqinjët. Në procesin e kthimit të refugjatëve gjithashtu, është arritur progres edhe sa i përket pikave të tjera të standarteve - një progres që është përshëndetur edhe nga zoti Grossman, por në të njëjtën kohë, ne duhet të kërkojmë edhe më tepër, veçançërisht, isntitucionet e Kosovës dhe lidershipi që të kuptohet drejt roli i UNMIK-ut në Kosovë, thjeshtë të marrë rolin e një vëzhguesi dhe këshilltari dhe të bartet pushteti tek kosovarët në mënyrë që ne t’i implementojmë këto standarte që kemi ne përgjithësinë. Ndërsa për standartet që varen nga UNMIK-u, ta zëmë, standart për ne është bashkimi i Mitrovicës, ne nuk mund të pajtohemi asesi me gjendjen që kemi dhe duhet patjetër që qyteti të bashkohet, duhet patjetër që adminsitrata civile të funksionojë në tërë territorin e Mitrovicës, do të thotë njerëzit e zgjedhur nga vota e popullit. Standart për ne është shkapërderdhja e të gjitha strukturave paralele serbe dhe largimi i tyre nga Kosova. Standart për ne është deinklavizimi i Kosovës. Standart për ne është mospërzierja thjesht e Beogradit në Kosovë dhe standart duhet të jetë edhe për Beogradin dhe ndërkombëtarët duhet t’ia tërheqin vërejtjen Beogradit që të mos luajë rol negativ në Kosovë, por të jetë pjesë e zgjidhjes së problemeve në Kosovë dhe asesi problemi i Kosovës. Dhe nëse Beogradi vazhdon kështu, atëherë ne duhet patjetër që t’ia bëjmë të qartë edhe komunitetit ndërkombëtar se problemin tonë do ta zgjidhim përmes Uashingtonit dhe Brukselit, sepse, nëse ne mendojmë se do të gjejmë një marrëveshje Prishtinë-Beograd, Beogradi kurrë nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Po ju, a jeni gati që të krijoni kushtet që serbët të ndjehen të sigurt në Kosovë? A jeni të angazhuar?

Hashim Thaçi: Ne kemi marrë përgjegjësi edhe më herët. Kemi punuar konkretisht, Jemi duke punuar edhe tash. Kosova nuk do të jetë vend vetëm për shqiptarët. Pavarësia e Kosovës dhe shteti i Kosovës do të jetë vend ku të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie etnike e fetare, do të gëzojnë të drejtat e tyre të barabarta. Dhe këtë garanci ne e kemi premtuar dhe do ta realizojmë, por asesi, edhe serbët e Kosovës duhet ta kuptojnë se kryeqyteti i tyre është Prishtina, jo Beogradi. Dhe gjithashtu Beogradi duhet të kuptojë se Kosova, por edhe ne të gjithë jemi duke punuar në drejtim të ndërtimit të identitetit shtetëror të Kosovës.

//rd//

XS
SM
MD
LG