Lidhje

SHBA: Shqetësimet lidhur me papunësinë - çështja kryesore në fushatën presidenciale - 2004-03-17


Senatori John Kerry i shtetit Masaçusets, i cili pritet të marrë emërimin e Partisë Demokrate si kandidat i saj në zgjedhjet presidenciale, po e trajton çështjen e vendeve të punës si temën qendrore të fushatës së tij. Gjatë një ndalese që bëri kohët e fundit në Illinois, senatori Kerry vuri në dukje se ekonomia amerikane ka humbur më shumë se 2 milion vende pune që kur Presidenti Bush erdhi në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2001. ”Dy mijë e katra nuk mund të jetë një vit tjetër i politikës së zakonshme. Sfidat me të cilat përballemi janë tepër të mëdha dhe serioze. Çdo minut që kalon ne humbim vende pune të cilat transferohen në vende të tjera”.

Humbja e vendeve të punës vazhdon të jetë një çështje e rëndësishme në fushatën e Presidentit për një mandat të dytë. Por përkrahësit e Presidentit Bush vënë pa vonesë në dukje se tregues të tjerë të rëndësishëm si rritja ekonomike dhe përqindjet e interesave mbeten pozitive. Megjithatë, Presidenti ka shprehur shqetësim për humbjen e vendeve të punës në çdo fjalim të rëndësishëm që ka mbajtur, përfshirë edhe fjalimin e tij të përjavshëm radiofonik të shtunën e kaluar. ”Përqindjet e papunësisë që aktualisht llogariten në masën 5 presje 6, janë më të ulëta se ritmet e papunësisë në vitet ’70, ’80 dhe ’90. Muaji i kaluar ishte i gjashtë muaj radhazi që në Amerikë shënohej rritje në numrin e vendeve të punës”.

Por anketuesit dhe analistët politikë thonë se humbja e vendeve të punës renditet ndër përparësitë kryesore në radhët e votuesve që janë të shqetësuar nga çështjet ekonomike. Karlyn Bowman mbikqyr opinionin publik për Institutin Amerikan Enterprise në Washington. Ajo thotë se kthimi i vëmendjes mbi çështjen e transferimit të vendeve të punës jashtë Shteteve të Bashkuara për të ulur koston, është shndërruar në një çështje shumë shqetësuese për votuesit amerikanë. ”Ankthi për humbjen e vendeve të punës nuk është aq i lartë sa në vitet ’80 apo fillimi i viteve ’90. Por ende mbetet çështje qendrore. Të anketuarit shprehin mospëlqim pasi 68 për qind e të anketuarve u përgjigjën kundër ndërsa 23 për qind në favor të zyrtarit të administratës, i cili kohët e fundit tha se transferimi i vendeve të punës jashtë Shteteve të Bashkuara jo vetëm është i pashmangshëm, por është edhe në të mirë të amerikanëve”.

Shqetësimi për humbjen e vendeve të punës u ngrit si çështje e rëndësishme në konferencat partiake të Partisë Demokrate kohët e fundit, veçanërisht në shtete si Karolina e Jugut dhe Wisconsin, të cilat e kanë ndjerë drejtpërdrejtë këtë prirje vitet e fundit. Ka të ngjarë që çështja e humbjes së vendeve të punës të shndërrohet në faktor kritik në një numër shtetesh ku pritet të zhvillohet një garë e fortë presidenciale si Ohio, Michigan dhe Pensilvania. William Shnaider është analist politik për Institutin amerikan Enterprise dhe rrjetin televiziv CNN. ”Vazhdimisht po ngrihet çështja e vendeve të punës. Tema qendrore e zgjedhjeve aktualisht, nëse nuk do të ketë ndonjë ndryshim të papritur në skenën ndërkombëtare, është humbja e vendeve të punës gjatë kësaj administrate. Amerikanët nuk shohin me shumë seriozitet faktorët e tjerë ekonomikë, përveç vendeve të punës, pasi puna është thelbi i Ëndrrës Amerikane”.

Historikisht, çështjet ekonomike kanë një ndikim më të madh në zgjedhjet presidenciale sesa çështjet që lidhen me politikën e jashtme. Por analistët paralajmërojnë se shtimi i shqetësimit për akte të mundshme terroriste mund të ndryshojë vëmendjen e fushatës duke vënë në plan të parë çështjet e sigurimit, gjë që, siç besojnë shumë analistë, do të ndihmonte Presidentin Bush. //az//

XS
SM
MD
LG