Lidhje

Irak: të paktën 29 të vrarë dhe dhjetra të plagosur - 2004-03-18


Shpërthimi i një makine të madhe bombë shkatërroi një hotel të madh në qendër të Bagdadit. Shpërthimi shkaktoi të paktën 29 të vrarë dhe dhjetra të plagosur.

Koloneli amerikan Ralph Baker, tha se makina bombë përmbante rreth 450 kilogram eksploziv. Ai tha se sulmi është i ngjashëm me sulme të mëparshme të kryera nga grupe ekstremiste myslimane. Nën-presidenti amerikan, Dick Cheney, i cilësoi autorët e shpërthimit si vrasës.

Sulmi i djeshëm u krye 3 ditë para një vjetorit të ndërhyrjes ushtarake në Irak. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë punën për të nxjerrë nga rrënojat e hotelit të vrarët dhe të plagosurit, pas dëmeve që shkaktoi një shpërthim i fuqishëm. Dëshmitarët thonë se shpërthimi la një krater të madh, ndërkohë që ndërtesën e përpinë flakët dhe shtëllungat e tymit mbuluan Bagdatin.

"Qendra e kryqytetit irakian u përfshi nga kaosi, ndërkohë që trupat amerikane ndërhynë me mjete të blinduara dhe helikopterë Apaçi për të ndihmuar policinë irakiane. Shpërthimi, nga i cili morën zjarr disa ndërtesa dhe makina aty pranë, u krye jo larg nga hotelet Sheraton dhe Palestine, ku qëndrojnë shumë punonjës dhe gazetarë të huaj."

Nga Bagdati, Koloneli amerikan Peter Jones i Divizionit të Parë Tankist tha se ende nuk dihet se kush i kreu sulmet, të cilat ndodhën në një hotel ku jetojnë kryesisht biznesmenë.

"Aktualisht askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Kemi pyetur menaxherin e hotelit nëse ka marrë kërcënime, por ai na tha se nuk kishte marrë kërcënime më parë."

Ky është shpërthimi më i fundit në një seri sulmesh që janë ndërmarrë kundër civilëve, shumë prej të cilëve shtetas jo-irakianë.

Më parë zëdhënësi i ushtrisë amerikane Mark Kimmitt u tha gazetarëve se po shfaqet një prirje e qartë në objektet e sulmuara nga kryengritësit irakianë.

"Ata po largohen nga objektet e koalicionit dhe gjatë muajve të fundit kanë vënë në shenjestër objekte të një natyre civile."

Por në Washington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Scott McClellan theksoi se terroristët që kryen këtë sulm nuk do t’i arrijnë synimet e tyre.

"Në Irak vazhdon periudha e provës. Arritje të mëdha janë në rrezik. Terroristët e dinë këtë, por ata nuk do të triumfojnë."

Sulmi ndodhi vetëm 3 ditë para përvjetorit të parë të ndërhyrjes së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që çoi në rrëzimin e Sadam Huseinit, dhe në të njëjtën ditë kur forcat amerikane dhe irakiane filluan një operacion në shkallë të gjerë, i cili kishte në shenjestër kryengritësit që i kundërvihen pranisë ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

//ze//

XS
SM
MD
LG