Lidhje

Partia Demokratike proteston nesër në Tiranë - 2004-03-19


Pas manifestimit të madh të 20 shkurtit opozita shqiptare e udhëhequr nga Partia Demokratike shpreson të ketë nesër në sheshin kryesor të Tiranës edhe më shumë mbështetës. Kryetari demokrat Sali Berisha i ka bërë thirrje degëve të partisë së tij të jenë në kryeqytet për të protestuar. Zoti Berisha tha se nesër do të jetë një hap i rëndësishëm i asaj që tashmë njihet si lëvizja "Nano Ik". Ndërsa pas saj manifestimet do të shtrihen në të gjithë vendin.

Partia Demokratike po merr masa të shumta për të garantuar një zhvillim të qetë dhe pa incidente të protestës, ashtu sic ndodhi dhe muajin e kaluar ku njierëzit e saj krijuan gardhe përkrah policisë për të evituar ndonjë përplasje të mundshme. “Protesta jonë duhet të mbetet strikt paqësore. Eshtë në seriozitetin maksimal të saj të mos provokohet dot, të mos mund të provokohet por të zhvillohet sipas programit. “Jo dhunë” është motivi. "Mos mendoni se kjo nuk e impresionon Fatos Nanon. E rrënon Fatos Nanon”, deklaroi zoti Berisha.

Kryetari demokrat u shpreh se protesta do të vazhdojë, pasi sipas tij lëvizja "Nano ik" është një lëvizje për të drejtën më themelore të qytetarëve, është lëvizje kundër varfërisë, korrupsionit vjedhjes dhe shpërdorimit të pasurive publike nga qeveria e kryeministrit Fatos Nano.

Manifestimi i nesërm pritet të organizohet sipas të njejtës skemë, ku pas grumbullimit në sheshin Skënderbej protestuesit do të lëvizin përgjatë bulevardit duke kaluar përpara godinave qeveritare për të ndalur më pas në Sheshin Nënë Tereza.

Policia nga ana e saj po merr sërish masa të shumta sigurie. Në bulevard do të bllokohet tërësisht qarkullimi i të gjitha mjeteve. Me ketë arsyetim nuk do të lejohen as mjetet e televizioneve që dëshirojnë ta transmetojnë direct manifestimin.

//rd//

XS
SM
MD
LG