Lidhje

Holbrooke: Dhuna në Kosovë  pasojë e dështimit të politikës së komunitetit ndërkombëtar - 2004-03-19


Ish i dërguari i Shteteve të Bashkuara Richard Holbrooke tha dje se dhuna e këtyre ditëve në Kosovë përfaqëson atë që ai e quajti dështim të politikës së komunitetit ndërkombëtar ndaj Kosovës. Ambasadori Holbrooke kritikoi politikën amerikane, atë të OKB-së dhe të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. “Ngjarjet në Kosovë ishin të pashmangshme. Kur isha atje në tetor i parlajmërova njerëzit, përfshirë personelin amerikan dhe atë të OKB-së se në se nuk merrnin masa shpejt për të filluar zgjidhjen e çështjes së statutit përfundimtar, situata do të keqësohej. Më vjen keq të them se adminsitrata e presidentit Bush nuk ra dakort me këtë vlerësim dhe për mendimin tim ndoqi nje drejtim krejt të ndryshëm. Departamenti i Shtetit ishte i mendimit se koha do t’i bënte gjerat më të lehta. Unë nuk jam dakort me këtë pikëpamje. Ajo që po ndodh sot në Kosovë është rezultat i dështimit të politkës së komunitetit ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe OKB-në, për të filluar zgjidhjen e statusit përfundimtar.

Ish ambasadori Holbrooke i bëri këto komente mbrëmë ndërsa po merrte pjesë në një veprimtari të organizuar nga Shoqata Aziatike. Po ashtu ai tha se planet e Shteteve të Bashkuara dhe Natos për të tërhequr 12 mijë trupat e mbetura amerikane nga Bosnja janë të parakohshme.

“Presidenti Bush ka thënë publikisht se shkuam së bashku dhe do të largohemi së bashku nga Ballkani. Nuk e kuptoj se përse po e shkel këtë zotim. Është njësoj sikur të heqësh lojtarët nga loja në minutat e fundit në një ndeshje që je duke e fituar. Tërheqja e trupave nuk ka kuptim”, tha zoti Holbrooke.

Një masë e tillë tha ambasadori Holbrooke po ashtu do të hidhte dyshim edhe mbi angazhimin e administratës ndaj Irakut dhe Afganistanit. //rd//

XS
SM
MD
LG