Lidhje

Zgjedhjet presidenciale në SHBA - 2004-03-20


Për Presidentin Bush, përvjetori i ndërhyrjes në Irak është një rast për t’u kujtuar votuesve vijueshmërinë e qendrimit të tij ndaj sigurimit kombëtar dhe kërcënimit të vazhdueshëm terrorist.

“Lufta kundër terrorizmit nuk është thjesht një detaj fjalimesh. Ajo është një thirrje për brezin tonë, së cilës nuk mund t’i shmangesh. Terroristët janë të zemëruar, jo vetëm thjesht prej politikave tona, por nga ekzistenca jonë si vende të lira”.

Sondazhet e opinionit punblik tregojnë se ndërkohë që miratimi i përgjithshëm për politikat e Presidentit Bush ka rënë gjatë muajve të fundit, dy ndër tre votues e përkrahin qendrimin e tij ndaj luftës kundër terrorizmit.

Kjo përbën një pengesë për Senatorin John Kerry, që shihet si kandidati i ardhshëm i Partisë Demokrate për president në zgjedhjet e nëntorit.

Senator Kerry është zotuar të sfidojë Presidentin Bush, si përsa i përket luftës kundër terrorizmit, ashtu edhe gjendjes në Irak, siç veproi në një fjalim që mbajti këto ditë në Washington. “Vazhdojmë të mbetemi të mbërthyer në Irak dhe administrata po vazhdon me kryeneçësi politikat e saj të dështuara të njëanshme, të cilat largojnë prej nesh aleatë të rëndësishëm që kanë qendruar përkrah nesh për një kohë të gjatë”.

Fushata republikane e konsideron vazhdimësinë e qendrimit të Presidentit Bush në çështje të sigurimit kombëtar ndoshta si aspektin më të rëndësishëm politik të tij. Në të njëjtën kohë, nënpresidenti Dick Cheney dhe zyrtarë të tjerë të lartë republikanë kanë filluar të sulmojnë qendrimin e Senatorit Kerry-t përsa i përket sigurimit kombëtar, përfshirë votimin e tij kundër luftës së vitit 1991 për çlirimin e Kuvajtit. “Të kishte qenë në dorën e Senator Kerry vendimi për ndërhyrje, Sadam Husein do të ishte ende në pushtet në Irak. Në fakt, Sadam Huseini sigurisht që do të kishte patur nën kontroll Kuvajtin”.

Shumë analistë politikë besojnë se sigurimi kombëtar është një pikë e fortë në punën e Presidentit Bush dhe duhet të ndikojë në favor të tij në zgjedhjet e nëntorit.

Një numër analistësh besojnë gjithashtu se shqetësimi në lidhje me sigurimin kombëtar bëri që demokratët të mbështesnin Senator Kerry-n. Zoti Kerry është gjithatshu një veteran i dekoruar i Luftës së Vietnamit që ka një përvojë shumëvjeçare në çështje të politikës së jashtme e të brendshme.

Norman Ornstein i Institutit Amerikan Enterprise merret me prirjet në politikë. Ai thotë se demokratët vendosën me kohë se u duhet të paraqesin një kandidat që do të konkuronte me presidentin Bush në çështje të sigurimit kombëtar e të politikës së jashtme. “Ekziston ndjesia tek demokratët se kjo është një pikë jo e fortë për ta. Vetëdija e të gjithëve për ekzistencën e së keqes në botë dhe e njerëzve të këqinj që duan të sulmojnë fuqinë e Amerikës, në territorin e saj, është mjaft e fortë tani, kur më shumë se gjatë Luftës së Ftohtë, ka rëndësi qendrimi i kandidatëve në lidhje me sigurimin kombëtar”.

Strategë politikë parashikojnë gjithashtu se fushata për rizgjedhjen e Presidentit Bush do të vazhdojë të përqendrohet deri në votimet e nëntorit në rolin e tij si komandant i forcave të armatosura.

Historikisht, presidentët që ndodhen në Shtëpinë e Bardhë në kohë lufte, kanë prirjen të rizgjidhen për një mandat të dytë. Përjashtim bën Presidenti Lyndon Johnson, i cili nuk kandidoi për një mandat të dytë në zgjedhjet e vitit 1968 për shkak të kundërshtimit në rritje ndaj luftës së Vietnamit.

//rd//

XS
SM
MD
LG