Lidhje

Nano dhe Cervenkovski u bënë thirrje NATO-s dhe BE-së që ta integrojnë Ballkanin në strukturat evropiane - 2004-03-21


Kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, dhe homologu i tij maqedonas, Branko Cervenkovski, u bënë thirrje delegatëve në takimin e Bratisllavës që t’u njohin vendeve të tyre meritën për ndërmarrjen e reformave shpesh të vështira ekonomike dhe reforma të tjera, me shpresë që më në fund ato të pranohen anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.

Në muajin maj, 10 vende, shumica ish komuniste, do të anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe nga fundi i këtij muaji 7 vende do të anëtarësohen në NATO.

Kryeministri Nano tha se vendet si Shqipëria duhet ta dinë se me punën e tyre të madhe si aleatë dhe partnerë ato do të mirëpriten në institucionet e Evropës dhe në familjen Euro-Atlantike, duke theksuar se kjo nuk duhet të jetë një ëndër e largët pas 10 ose 20 vjetësh, por shumë shumë më shpejt.

Kryeministri maqedonas, Branko Cervenkovski, u bëri thirrje NATO-s dhe Bashkimit Evropian që të vlerësojnë reformat e vendit të tij. Ai shtoi se takimi i nivelit të lartë i NATO-s, që do të zhvillohet në Stamboll në qershor, do të ishte një mundësi kritike, siç u shpreh ai, për aleancën që të dërgojë një mesazh të qartë politik se dyert e zgjerimit të saj do të jenë të hapura për vendet, që kualifikohen, përfshirë vende si Maqedonia, Shqipëria, Kroacia, Bosnje-Hercegovina dhe Sërbia e Mali i Zi.

Kryeministri sllovak, Miklulas Dzurinda, i cili kryesoi takimin e kësaj jave, dhe vendi i të cilit është një prej vendeve që do të anëtarësohen këtë vit në NATO dhe në Bashkimin Evrpëian, tha se e kupton pakënaqësinë e vendeve, që nuk do të anëtarësohen këtë vit.

“Ne jemi shumë të gëzuar që disa prej nesh do të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Por në të njëjtën kohë, ne duhet të ndihmojmë vendet e tjera që duan të marrin të njëjtin drejtim që të arrijnë anëtarësinë në NATO- dhe në Bashkimin Evropian.”

Presidenti i ri i Gjeorgjisë, Mihail Saakashvili, kërkoi që udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s të mendojnë rreth zgjerimit të mëtejshëm.

“Gjeorgjia do të bëhet pjesë e strukturave dhe destinacioneve evropiane. Disa herë kam lexuar gazetat që shkruajnë se Gjeorgjia dhe Kaukazi jugor nuk janë evropianë, por aziatikë. Kjo nuk është e vërtetë. Gjeorgjia dhe Kaukazi jugor janë kultura evropiane shumë të lashta.”

Por komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerimin e këtij institucioni, Gunter Verheugen, ka paralajmëruar se ekzistojnë kufij se sa larg mund të shtrihet Bashkimi Evropian.

Ai theksoi se zgjerimi i Bashkimit nuk është i vetmi mjet i këtij institucioni dhe se Evropa duhet të kërkojë mënyra të ndryshme bashkëpunimi.

//ze//

XS
SM
MD
LG