Lidhje

Afganistan: Vrasja e një ministri nxit luftime - 2004-03-21


Në Afganistan, të dielën u vra Ministri i Aviacionit Civil Mirwais Sadik dhe ka njoftime se një numër i madh njerëzisht janë vrarë në luftimet që shpërthyen pas atentatit.

Autoritetet në qytetin perëndimor Herat thonë se zoti Sadik, i biri i guvernatorit me peshë të provincës Herat, Ismail Khan, u vra të dielën në kryeqytetin krahinor.

Një zëdhënës i guvernatorit Khan tha se zoti Sadik ishte vrarë nga forca të kontrolluara nga komandanti i lartë qeveritar, Zaher Naib Zada. Dëshmitarë dhe zyrtarë në Herat thonë se pas atentatit, luftimet shpërthyen mes trupave të komandantit qeveritar dhe atyre besnike të guvernatorit Khan.

Komandanti Zada thotë se deri në 100 njerëz mund të jenë vrarë në luftime. Ai u tha agjencive perëndimore të lajmeve se zoti Sadik ishte vrarë gjatë një konfrontimi në shtëpinë e komandantit. Një zëdhënës i Presidentit Karzai tha se disa ministra të qeverisë janë dërguar në atë zonë pranë kufirit me Iranin për të vlerësuar gjendjen.

Në shkurt të vitit 2002, parardhësi i zotit Sadik, Abdul Rahman, u vra në aeroportin kryesor të Kabulit. Pesë muaj më pas, Nënpresidenti Haxhi Abdul Kadir u vra në zyrën e tij në Kabul. //kk//

XS
SM
MD
LG