Lidhje

Beogradi i zhgënjyer nga “paaftësia e UNMIK-ut” për të mbrojtur banorët serbë - 2004-03-21


Sllobodan Samarxhiç, Këshilltari i kryeministrit të Serbisë Vojisllav Koshtunica ishte këto ditë në Uashington së bashku me Ministrin e jashtëm Goran Svillanoviç, për bisedime me zyrtarët amerikanë mbi gjendjen në Kosovë. Qeveria e Serbisë tha ai, është shumë e shqetësuar për sulmet në masë të shqiptarëve kundër banorëve serbë dhe objekteve të tyre kulturore.

Qeveria Serbe, shtoi zoti Samarxhiç, duke respektuar rezolutën 12-44 të Këshillit të Sigurimit nuk dërgoi forca në Kosovë për të mbrojtur banorët serbë, por ai shtoi se Beogradi është zhgënjyer nga paaftësia e UNMIK-ut dhe KFOR-it për të mbrojtur komunitetin serb. Është kjo gjendje e pasigurtë për banorët serbë tha ai, që i ka detyruar ata të krijojnë struktura paralele.

“Strukturat paralele janë legjitime përsa i përket komunitetit serb në Kosovë meqë për ta nuk ka garanci institucionale për të drejtat e tyre. Pra gjendja i ka detyruar të krijojnë këto të ashtuquajtura struktura paralele, është një mënyrë mbijetese për ta, meqë nuk mund të marrin pjesë në mënyrë të përshtatshme në institucionet e përkohshme”, tha ai.

Zoti Samarxhiç tha se kur një komunitet që është në pakicë nuk ka ndonjë ndikim për vetëekzistencën e tij, për trashëgiminë kulturore, arsimin, kujdesin shëndetësor, sigurimin, kur ata nuk mund të mbrohen me vota në institucione, pra kur kushtetuta nuk u krijon mundësi të vetëmbrohen përmes institucioneve, atëherë ata janë detyruar të organizojnë institucione paralele.

“Ata e ndjejnë veten si banorë të Serbisë dhe Malit të Zi dhe askush nuk mund t’ua mohojë atyre këtë të drejtë”.

Zhvillimet e fundit thotë zoti Samarxhiç do të bëjnë që të shtyhen bisedimet e filluara midis Prishtinës dhe Beogradit. Ato nuk do të vazhdojnë siç ishte planifikuar. Ai shton se problemi i personave të zhvendosur ishte një prej çështjeve që do të diskutohej, është një problem i rëndësishëm si për serbët dhe për Kosovën.

Një e treta e popullsisë u detyruan te largohen nga Kosova në vitin 1999 dhe zoti Samarxhiç thotë se përpjekjet për kthimin e tyre do të shtyhen tani.

“Megjithatë, tha ai, mendoj se bisedimet duhet të vazhdojnë, por pasi të qetësohet situata e tanishme”.

Analistë të ndryshëm janë shprehur këto ditë se tensionet e fundit në Kosovë, e kanë vënë në pikëpyetje krijimin e një shoqërie shumë etnike dhe ata e shohin ndarjen e Kosovës si një prej zgjidhjeve të mundshme. I pyetur lidhur me këtë mundësi, këshilltari i Kryeministrit Koshtunica tha se Beogradi është kundër ndarjes.

“Ndarja nuk është zgjidhje për Kosovën. Ndarje do të thotë të ripërcaktosh kufijtë, kjo është një gjë e rrezikshme për Ballkanin. Krijimi i shteteve të reja, fragmentizimi politik është pikërisht strategjia që u ndoq në fillim të viteve ’90 dhe kjo është e rrezikshme. Ne duhet të gjejmë zgjidhje të reja më të mira. Meqë sot ne të gjithë dëshirojmë të bëhemi pjesë e familjes evropiane, ndarja dhe ripërcaktimi i kufijve do të rihapë problemet e vjetra të rajonit. Unë nuk besoj tek ndarja”, përfundoi zoti Samarxhiç.

XS
SM
MD
LG