Lidhje

Siguria në Kosovë kërkon ndëshkimin e fajtorëve - 2004-03-22


Në Kosovë, ceremonitë e varrimit të dy djemve shqiptarë, që u mbytën para pak ditësh, u zhvilluan pa incidente. Vdekja e tyre javën e kaluar u bë shkas për trazira të dhunshme dhe Natoja u përgjigj me dërgimin e një force shtesë prej disa qindra trupash që do t’u bashkangjiten forcës prej 18 mijë ushtarësh në Kosovë. Njëzet e tetë persona u vranë, pjesa më e madhe serbë dhe më shumë se 600 të tjerë u plagosën në trazirat, që filluan pas mbytjes së dy djemve shqiptarë javën e kaluar. Shqiptarët në Kosovë akuzuan serbët se i kanë ndjekur djemtë të mërkurën, duke i detyruar ata të hidhen nga frika në lumë, ku më pas janë mbytur. Trupi i djalit të tretë nuk është gjetur ende.

Vdekjet e tyre u bënë shkas për fillimin e dhunës së shqiptarëve ndaj serbëve në Kosovë. Albert Cevallos, analist në Institutin amerikan të Paqes thotë se paqeruajtësit e Natos mund të rikthejnë sigurinë në Kosovë, nëse bëjnë disa ndryshime:

“Nuk mendoj se është një detyrë e pashpresë, por mendoj se kryesorja është identifikimi i fajtorëve. Autorët e këtyre akteve duhet të mbahen përgjegjës për ato që ndodhën gjatë ditëve të fundit. Këtu përfshihen ekstremistët, të cilët ndoshta e filluan dhunën, ndoshta edhe disa mjete informimi që kanë ndihmuar në acarimin e gjendjes në të dyja anët. Për fat të keq, në Kosovë gjatë viteve të fundit ka pasur vrasje në numër të kufizuar, por ka qenë e pakët ndjekja penale. Pikërisht këtë duhet të bëjmë tani,” thotë analisti.

Afro 3 mijë e 600 serbë të Kosovës mbetën pa strehë, kur protestuesit dogjën banesat e tyre dhe një numër kishash. Albert Cevallos thotë se nuk bëhet ende fjalë për një krizë humanitare, por gjendja mund të shndërrohet së shpejti në krizë:

“Nuk e di nëse është në prag të një krize humanitare. Atje ekziston një infrastrukturë, vepron Natoja, OSBE-ja, UNMIK-u. Mendoj se ekziston një krizë, megjithëse jo e shtrirë në shkallë të gjerë, ku njerëzit po vdesin urie. Por gjithsesi kemi të bëjmë me krizë pasi njerëzit kanë nevojë për strehim, duhet të kthehen në shtëpitë e tyre dhe kanë nevojë për kushte bazë,” thotë zoti Cevallos.

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin tha të shtunën se serbët në Kosovë duhen mbrojtur dhe se Moska nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj ngjarjeve në këtë rajon të trazuar. Albert Cevallos thotë se kjo nuk nënkupton që Moska do të ndërhyjë ushtarakisht:

“Nuk do të arrija në atë përfundim. Mendoj se tani njerëzit po përpiqen të qetësojnë situatën. Nuk shoh ndonjë nevojë që rusët të arrijnë deri atje. Nëse gjendja do të vazhdonte të keqësohej, mendoj se të gjithë ne duhet të ndërhynim më me forcë,” thotë analisti.

Natoja dhe udhëheqësit e huaj e kanë dënuar dhunën duke e cilësuar atë një përpjekje për spastrim etnik.

//ad//

XS
SM
MD
LG