Lidhje

Serwer: Dhuna në Kosovë, humbje për të gjithë - 2004-03-23


Zëri i Amerikës: Zoti Serwer, shumë njerëz mendojnë se dhuna e ditëve të fundit ishte e planifikuar. Ç’mendoni ju?

Daniel Serwer: Unë nuk e di por do të varet nga strukturat e rendit, pra nga UNMIK-u dhe nga policia për ta sqaruar këtë.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, ka disa shkaqe themelore që i shtynë shqiptarët të përdorin dhunën. Cilat janë ato sipas mendimit tuaj?

Daniel Serwer: Nuk e di por më duket se kemi të bëjmë më tepër me veprimtari kriminale. E di se ka njerëz që ia hedhin fajin mungesës së statusit përfundimtar, por le ta themi hapur: kjo ishte sjellje kriminale ashtu siç kemi parë edhe më përpara në Ballkan dhe njerëzit që mbajnë përgjegjësi për këtë duhet të vihen para përgjegjësisë.

Zëri i Amerikës: Ndërhyrja e Beogradit në pjesën veriore të Mitrovicës i ka shqetësuar shumë shqiptarë të cilët ndjejnë pasiguri për të ardhmen e tyre. A nuk duhet të ishte shtruar ky problem më me forcë më parë?

Daniel Serwer: Mendoj se problemi i Mitrovicës dhe i strukturave paralele duhet të ishte zgjidhur kohë më parë, por në fund të fundit mendoj se kjo nuk nuk duhet të ishte justifikim për sjelljen kriminale ose arësye e fortë për një sjellje të tillë. Është fakt se në Mitrovicën veriore ka struktura që nuk duhet të ekzistonin, atje nuk ka kontroll të plotë të Kombeve të Bashkuara. Për mendimin tim, disa nga këto struktura nuk përputhen me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Ky është një problem real por nuk mund të shërbejë si justifikim për sjellje kriminale.

Zëri i Amerikës: Dhe, ç’mendoni për UNMIK-un, si ka qenë puna e tij gjatë viteve të fundit?

Daniel Serwer: UNMIK-u më duket se ka bërë një punë të mirë në shumë drejtime, por ky rebelim, ose këto trazira, nëse mund t’i quajmë kështu, padyshim që e kapën UNMIK-un dhe K-FOR-in të papërgatitur. Kjo është për të ardhur keq dhe e kritikueshme.

Zëri i Amerikës: Nëqoftëse UNMIK-u u gjet i papërgatitur, kjo do të thotë se ai nuk arriti të vlerësonte dot tensionet e fshehura që ekzistonin midis shqiptarëve dhe serbëve apo jo?

Daniel Serwer: Po. Dhe kjo flet për mangësi serioze. Por unë nuk do të flisja për tensione midis të gjithë serbëve dhe të gjithë shqiptarëve. Ka shumë serbë dhe shumë shqiptarë që nuk do të kishin marrë pjesë në këto veprime kriminale dhe ne duhet të shikojmë se këto janë veprime të një pakice shumë të vogël, qofshin edhe disa qindra njerëz. Edhe nëse do të ishin disa mijra, përsëri këta do të ishin pak po të krahasoheshin me të gjithë popullatën. Ajo që nevojitet është një forcë policore dhe një KFOR që janë në gjendje të kontrollojnë sjellje të tilla kriminale. Gjëra të tilla nuk duhet të kalojnë pa përgjigje dhe më duket se megjithë se ka patur disa arrestime, ne ende nuk e dimë me siguri se cila ishte origjina e trazirave, pra nëse ishin të organizuara apo jo dhe kjo duhet sqaruar.

Zëri i Amerikës: Siç mund ta dini, dhuna e këtyre ditëve u ka dhënë më shumë argumente atyre që kërkojnë ndarjen ose kantonizimin e Kosovës. Cili është mendimi juaj?

Daniel Serwer: Mendoj se ajo i ka forcuar pozitat e atyre që janë për ndarjen midis shqiptarëve dhe serbëve dhe kjo është për të ardhur keq. Mendoj se kjo lloj ndarjeje nuk është rezultat i dëshirueshëm. Nuk e di dhe më vjen çudi se përse disa njerëz e nxisin një ide të tillë. Por situata që u krijua është një humbje shumë e madhe për të gjithë: shqiptarët e Kosovës humbën sepse ata bënë një hap prapa përsa i përket përmbushjes së standardeve. Serbët e Kosovës humbën sepse humbën shtëpitë, kishat dhe pasuritë. Beogradi humbi sepse ekstremistët e atjeshëm i forcuan pozitat e tyre dhe komuniteti ndërkombëtar pësoi humbje sepse rruga që kishte hartuar për Kosovën ka hasur në pengesë tani për tani. Pra rezultati është mjaft negativ.

Zëri i Amerikës: Dhe, sipas mendimit tuaj, sa ka humbur koncepti i bashkëjetesës midis serbëve dhe shqiptarëve. A mund të themi se ky koncept ka dështuar pas asaj që ndodhi?

Daniel Serwer: Nuk do të thosha se ka dështuar por do të jetë shumë më e vështirë për të bindur serbët që të kthehen në shtëpitë e tyre për të jetuar krahas shqiptarëve. Kisha kohë që mendoja se po arrihej në një pikë ku do të ishte e mundur ringjallja e komuniteteve të përbashkëta dhe që një numër relativisht i madh serbësh të mund të ktheheshin në Kosovë. Kjo do të ishte mjaft e dëshirueshme nga pikpamja e kosovarëve sepse do të ndihmonte për plotësimin e standardeve, por edhe nga pikpamja e serbëve sepse do të ndihmonte që ata të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Tani do të jetë shumë e vështirë të bindësh serbët se ata do të jenë të sigurt nëse duan të kthehen. Dhe ky është problem jo vetëm për serbët por edhe për shqiptarët e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Çfarë do të ndodhë tani me standardet? A ka ardhur koha t’u bëhet trysni shqiptarëve që të angazhohen më shumë për zbatimin e standardeve dhe për serbët që ata t’i pranojnë standardet?

Daniel Serwer: Mendoj se rregulli i standardeve do të duhet të mbetet ashtu siç është. Ne nuk mund t’i bëjmë lëshim dhunës dhe të themi se nëse kemi të bëjmë me një alternativë midis standardeve dhe statusit, atëhere le të zgjedhim statusin. Por edhe nëse zgjedhim statusin, rezultati do të ishte ndarja, një rezultat që mendoj se nuk do të ishte i dëshirueshëm. Pra më duket se komuniteti ndërkombëtar do të ngulë këmbë tek parimi standardet përpara statusit. Si shqiptarët ashtu edhe serbët duhet të kenë të gjitha arësyet që t’i zbatojnë këto standarde. Mendoj se ishte shumë për të ardhur keq që serbët nuk kanë marrë pjesë më parë në procesin e standardeve dhe mendoj se tani do të jetë akoma më e vështirë që të binden ata për ta bërë këtë. Por ky është pikërisht procesi që do të çonte në shtimin e numrit të serbëve që kthehen. Mendoj se ky është një proces i drejtë dhe duhet të vazhdojë.

Zëri i Amerikës: Zoti Serwer, a duhet që Perëndimi ta rishikojë strategjinë e tij për tërheqjen graduale të trupave nga Ballkani. Siç e pamë, Natoja pati nevojë për trupa shtesë për të kontrolluar situatën.

Daniel Serwer: Mendoj se ka patur njëfarë mungese të vemendjes nga ana e Natos, e cila i kishte pakësuar trupat më shumë se duhej. Por një ditë këto trupa do të largohen sepse nuk ka arësye që, kur në Kosovë të ketë një marrëveshje paqeje, trupat amerikane dhe evropiane të qendrojnë atje. Ndoshta evropianët mund të qendojnë sa të duan, por amerikanët nuk do të qendojnë përgjithmonë. Ka ardhur koha që shqiptarët të kuptojnë se periudha e qendrimit të trupave amerikane në Kosovë është e kufizuar dhe nëse shqiptarët duan ta shfrytëzojnë mirë këtë periudhë, ata duhet të zbatojnë standardet. Dhuna vetëm sa e shpejton ditën kur amerikanët të thonë: ”le t’ja lemë këtë evropianëve, është problem i tyre.” Nuk mendoj se kosovarët do ta dëshironin një gjë të tillë.

//rd//

XS
SM
MD
LG