Lidhje

B.E. i kërkon Serbisë bashkëpunim me Gjykatën e Hagës - 2004-03-23


Bashkimi Evropian i tha të martën Serbisë se në se dëshiron që një ditë të anëtarësohet në këtë organizatë ose në Nato, duhet të bashkëpunojë plotësisht me Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës.

Zyrtarët evropianë këmbëngulin që Serbia të marrë masa për të kapur 16 persona të akuzuar nga Gjykata e Hagës për krime lufte gjatë luftrave ballkanike në vitet ’90. Mes tyre është ish komandanti i serbëve të Bosnjes, gjenerali Ratko Mlladiç, i cili besohet se jeton i fshehur në Serbi.

Por kjo kërkesë e ve kryeministrin e Serbisë Vojisllav Koshtunica në një pozitë të vështirë. Qeveria e tij ka nevojë për mbështetjen e Partisë Socialiste të ish presidentit Millosheviç, i cili është vetë duke u gjykuar në Hagë për krime lufte.

Diplomatët thanë se zoti Koshtunica, i cili u takua të martën në Bruksel me zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian dhe Natos, premtoi, atë që ata e cilësuan si, një bashkëpunim modest me gjykatën. Sipas diplomatëve, zoti Koshtunica u tha zyrtarëve evropianë se ai është i gatshëm të bashkëpunojë me Gjykatën e Hagës përsa kohë që ky bashkëpunim nuk do të destabilizojë institucionet në Serbi.

Por kjo nuk pritet të kënaqë as zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe as ata të Natos. Serbia dëshiron të përfundojë një marrëveshje tregëtare me Bashkimin Evropian dhe synon të bëhet anëtare e programit të Natos “Partneritet për Paqen”.

Një pengesë tjetër për përpjekjet e Serbisë dhe Malit të Zi për t’u anëtarësuar në institucionet euro-atlantike është rishkallëzimi i dhunës në Kosovë. Pesë vjet pas përfundimit të luftimeve, Kosova u bë përsëri arenë përleshjesh të përgjakshme midis shqiptarëve dhe serbëve.

Kryeministri Koshtunica propozoi kantonizimin e Kosovës për të mbrojtur të drejtat e banorëve serbë. Por shefi i politikës ës jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana i tha atij se një plan i tillë do të çonte në ndarjen e Kosovës dhe do t’i jepte fund shpresave për një Kosovë shumë-etnike. Megjithatë zoti Koshtunica kërkoi më shumë autonomi për serbët e Kosovës.

“Qeveria serbe,” tha presidenti Koshtunica, “është kundër ndarjes ose copëtimit të Kosovës. Ajo po kërkon mënyra të reja institucionale, një formë autonomie, që do ta bënte më të lehtë bashkëjetesën e serbëve dhe të pakicave të tjera jo-serbe (në Kosovë). Kjo është ajo që kërkon Serbia.”

Zoti Solana, i cili do të shkojë të mërkurën në Kosovë, pranoi se duhet të merren masa për të përmirësuar gjendjen e serbëve në Kosovë.

“E vërteta është se pakicat, veçanërisht ajo serbe, nuk janë mbrojtur siç duhet. Dhe nga kjo ne duhet të nxjerrim mësime se si të përmirësojmë gjendjen e tyre”, tha zoti Solana.

Të dy -- zoti Solana dhe zoti Koshtunica -- janë kundër ndonjë vendimi të përshpejtuar për të vendosur mbi statusin përfundimtar të Kosovës.

Ky qëndrim është në kundërshtim me kërkesat e udhëheqësëve të shqiptarëve të Kosovës. Në një intervistë të martën me gazetën italiane, Corriere della Sera, presidenti Ibrahim Rugova tha se Kosova duhet të jetë e pavarur dhe se ka ardhur koha që kompetencat të kalohen nga administrata ndërkombëtare tek institucionet vendore.

XS
SM
MD
LG