Lidhje

Dëshmi publike për sulmet e 11 shtatorit - 2004-03-23


Zyrtarë dhe ish-zyrtarë të qeverisë amerikane mbrojtën punën e bërë kundër terrorizmit gjatë dëshmive para një komisioni të pavarur që po kryen hetime rreth sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Këto dëshmi vijnë pas akuzave të bëra nga ish-zyrtari, Riçërd Kllark për çështje kundër terrorizmit, i cili është shprehur se presidenti Bush u përqëndrua shumë mbi Irakun dhe jo sa duhet tek Al-Kaida gjatë trajtimit të kërcënimeve terroriste.

Por Sekretari i Shtetit, Kolin Pauell i tha komisionit se ndryshe nga akuzat e bëra nga zoti Kllark, presidenti Bush e bëri terrorizmin një përparësi kryesore që nga ardhja në krye të Shtëpisë së Bardhë. ”Ai vendosi që në fillim se ne duhej të tregoheshim më këmbëngulës për të ndjekur terroristët e veçanërisht Al-Kaidën. Siç tha Presidenti Bush në pranverën e vitit 2001, ndërsa ne ishin duke zhvilluar strategjinë tonë të re, ”Mjaft më me zvarritje!”

Në një libër të ri, ish-zyrtari i administratës, Riçërd Klark, thotë se presidenti Bush i kushtoi pak vemendje kërcënimeve të paraqitura nga Al-Kaida para sulmeve të 11 shtatorit dhe u përqëndrua shumë mbi mundësinë e lidhjeve terroriste të Irakut.

Shtëpia e Bardhë iu përgjegj ashpër këtyre akuzave duke i hedhur poshtë ato dhe duke akuzuar zotin Kllark se me komente të tilla po përpiqet të shesë librin e tij dhe se po ndërhyn në fushatën presidenciale.

Richard Klark e mrbojti veten nga këto akuza gjatë një interviste me rrjetin televiziv ABC. ”Unë nuk e bëj këtë sepse jam i pakënaqur, por sepse populli amerikan duhet ta mësojë të vërtetën. Nëse dikush tjetër do ta kishte thënë të vërtetën unë nuk do ta kisha përmendur aspak këtë çështje”.

Komisioni i pavarur që po zhvillon hetime për sulmet terroriste të vitit 2001, mori gjithashtu në shqyrtim edhe masat anti-terroriste të administratës së presidentit Klinton gjatë viteve para sulmeve dhe arriti në përfundim se edhe në to kishte mangësi.

Në raportin e tij paraprak komisioni vë në dukje se administrata e presidentit Klinton e vuri theksin kryesor në luftën kundër terrorizmit tek zgjidhja diplomatike, veçanërisht tek përpjekjet për të bindur Arabinë Saudite dhe Pakistanin që t’i ushtronin trysni regjimit taleban në Afganistan për të dëbuar Osama Bin Ladenin, por siç u pa më pas, kjo përpjekje dështoi.

Anëtari i komisionit, ish senatori demokrat, Bob Keri, i kërkoi ish-Sekretares së Shtetit, Madllin Ollbrajt, që të shpjegonte se përse administrata e presidentit Klinton hezitoi të përdorte forcën ndaj Al-Kaidës. “Sinqerisht nuk e kuptoj. Në se sulmohemi, e sulmohemi e sulmohemi, përse vazhdojmë të dërgojmë FBI-në në vendet e sulmeve, si në Kullat Khobar në Arabinë Sauditë, ose në ambasadat amerikane në Afrikë. Ju thatë se ne kishim një balancë midis forcës dhe diplomacisë. Për mua, kjo balancë ishte e pablancuar dhe anonte shumë nga diplomacia dhe shumë pak nga ushtria”, tha senatori Keri.

Zonja Ollbrajt u përgjigj se administrata e presidentit Klinton vendosi t’i përgjigjet rrezikut terrorist me një seri mjetesh, përfshirë veprimin ushtarak, diplomacinë dhe agjencitë e rendit. Përdorimi i ushtrisë, tha ajo, paraqiste një seri rreziqesh. ”Të bombardonim pa objektiv të qartë, ose të përdornim forcën ushtarake, për mendimin tim, do të kishte krijuar një gjendje, që do ta bënte pozitën e Amerikës edhe më të vështirë në botë myslimane”, tha ish Sekretarja e Shtetit.

Të mërkurën para komisionit do të dëshmojë edhe ish-zyrtari i Shtëpisë së Bardhë për luftën kundër terrorizmit, Riçërd Klark dhe drejtori i CIA-s Xhorxh Tenet. Raporti i Komisionit për sulmet e 11 shtatorit pritet të bëhet publik në korrik, pikërisht në momentin kur demokratët do të mblidhen në Boston për të emëruar zyrtarisht senatorin Xhon Keri si kandidat të tyre për president, që do të konkurojë kundër Presidentit Bush në zgjedhjet e nëntorit. //az//

XS
SM
MD
LG