Lidhje

Irakianët festojnë përvjetorin e parë të çlirimit nga Sadam Huseini - 2004-03-24


Irakianët po festojnë një përvjetor. Një vit më parë, koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara hyri në Irak për t’i dhënë fund regjimit të Sadam Huseinit. Diktatori është tani në burg ku pret të gjykohet dhe irakianët po përgatiten për ngritjen e një qeverie demokratike. “Kishim pritur shumë gjatë për rrëzimin e Sadam Huseinit, saqë u shtangëm kur filloi me të vërtetë,” i tha gazetës New York Times Om Abas al-Imari nga Bagdati.

Tani, thotë presidenti Bush, “një ndër regjimet më keqdashëse dhe brutale në histori ka marrë fund përgjithmonë”:

“Diktatori i Irakut kreu shumë krime dhe mund të ketë pasur krime të tjera në mendje. Ky ishte një regjim që torturonte fëmijët në sy të prindërve. Ky ishte një regjim që përdori armë kimike kundër fshatrave të tëra. Në këtë vend miliona vetë jetonin në frikë dhe mijëra persona janë zhdukur në varre masive. Këtë jetë bënte populli i Irakut për më shumë se një brez. Por e gjitha kjo ka marrë fund. Kur u rrëzua Sadam Huseini, terroristët humbën përgjithmonë një aleat të tyrin,” tha presidenti.

Iraku ka një kushtetutë të re të përkohshme në të cilën garantohen të drejtat bazë, përfshirë liria e besimit, liria e votës së fshehtë dhe trajtimi i barabartë në përputhje me ligjin. Presidenti Bush ka thënë se “këto ndryshime historike po dërgojnë një mesazh në mbarë rajonin, nga Damasku deri në Teheran.”

“Liria është e ardhmja e çdo vendi. Populli irakian po shënon arritje të mëdha dhe po sakrifikon për të ardhmen e tij. Sot, më shumë se 200 mijë irakianë, përfshirë 28 mijë policë të rinj, po mbrojnë bashkëatdhetarët e tyre. Ata po ndërtojnë një vend të fortë dhe të lirë,” tha presidenti.

Mbetet ende shumë për të bërë. Terroristët po përpiqen të minojnë përparimin e Irakut drejt lirisë.

Por terroristët nuk do të triumfojnë. Siç tha për gazetën Chicago Tribune, Khalid Nemadi, një shofer irakian taksie, “Mund të them ndershmërisht se jam krenar që jam irakian.”

//ad//

XS
SM
MD
LG