Lidhje

Bashkimi Evropian nuk do të tolerojë dhunën në Kosovë - 2004-03-24


Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Javier Solana tha se është tepër i indinjuar nga brutaliteti i trazirave të javës së kaluar në Kosovë. Zoti Solana i bëri këto komente dje gjatë një vizite në Fushë Kosovë.

Ai tha se komuniteti ndërkombëtar nuk do të bëjë lëshime ndaj veprimeve të tilla si dhuna e javës së kaluar në Kosovë, e cila shkaktoi 28 të vrarë, qindra të plagosur dhe la pa strehë mijëra njerëz, pasi shtëpitë e tyre u dogjën.

Zoti Solana shkoi në Kosovë me rastin e 5 vjetorit të bombardimeve të NATO-s për të ndaluar agresionin sërb kundër shumicës shqiptare të Kosovës. Zoti Solana dha urdhër për bombardimet në vitin 1999 kur ishte sekretar i përgjithshëm i NATO-s.

Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, tha në një deklaratë me rastin e këtij përvjetori se pavarësia sa më parë që të jetë e mundur është objektivi përfundimtar i Kosovës.

Ndërkohë në Beograd, ministri i jashtëm bullgar, Solomon Passy, vendi i të cilit kryeson Organizatën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, tha se viktimat e trazirave të javës së kaluar duhet të kompensohen dhe autorët duhet të nxirren para drejtësisë.

Rusia i quan trazirat "spastrim etnik"

Rusia dënoi atë që e quajti spastrim etnik të jo shqiptarëve në Kosovë dhe bëri thirrje që të merren të gjitha masat e mundshme për të ndalur dhunën pasi përleshjet mes serbëve dhe shqiptarëve, shkaktuan vdekjen e 28 personave.

Ministria e Jashtme, në një deklaratë lëshuar dje, akuzoi paqeruajtësit e NATO-s se nuk kishin arritur parandalonin atë që cilësohej si “barbarizëm mesjetar” në Kosovë, e cila siç thuhej në deklaratë mbetet një plagë e hapur në Ballkan.

Avionë ushtarakë rusë dërguan dje ndihma në Kosovë. Autoritetet ruse thonë se do të ngrenë kampe me tenda për të ndihmuar ata që janë plagosur, apo kanë mbetur pa strehë nga dhuna.

Ministri rus i Mbrojtjes Civile, Sergei Shoigu nodhet në Beograd për të diskutuar për përpjekjet e ndihmës.

//ze//

XS
SM
MD
LG