Lidhje

Korrupsioni politik, një nga shkaqet kryesore të konflikteve në shumë vende të botës - 2004-03-25


Një nga organizatat kryesore në luftën kundër korrupsionit thotë se politikanët që marrin rryshfete dhe firmat që i paguajnë ata, minojnë zhvillimin ekonomik global. Grupi kundër korrupsionit, Transparenca Ndërkombëtare, thotë se korrupsioni politik është një nga shkaqet kryesore të konflikteve në shumë vende të botës.

Organizata me seli në Berlin bëri publik të enjten në Londër raportin e saj Korrupsioni Global në Vitin 2004. Themeluesi i Transparencës Ndërkombëtare, Peter Eigan theksoi ndikimin që ka korrupsioni politik, mashtrimet dhe mungesa e ndershmërisë për një shoqëri.

“Ky është shkaku i varfërisë dhe keqadministrimit në shumë vende të botës. Ai krijon atë gjendje të pashpresë dhe të dëshpëruar, si ajo që shohim sot në shumë vende. Kjo gjendje, nga ana e saj, çon në konflikte, dhunë dhe më së fundi edhe terrorizëm.”

Raporti prej 353 faqesh rendit 10 udhëheqësit më të korruptuar në botë gjatë dy dekadave të fundit. Në krye të listës ndodhet ish presidenti i Indonezisë Mohamed Suharto. Gjatë 32 vjetëve në pushtet ai dyshohet të ketë vjedhur 15 deri në 35 miliardë dollarë.

Ish-presidenti i Filipineve, Ferdinant Markos renditet i dyti, me grabitje të një shume prej 5 deri në 10 miliarë dollarë. Ish udhëheqësi i Zairesë Mobuto Sese Seko i treti me 5 miliardë dollarë të vjedhur.

Udhëheqës të tjerë të përmbysur, të përfshirë në listën e Transparencës Ndërkombëtare janë Sani Abaça i Nigerisë, Sllobodan Millosheviç i ish Jugosllavisë, Zhan Klod Dyvalje i Haitit, Alberto Fuxhimori i Perusë, Pavlo Lazarenko i Ukrainës, Arnoldo Aleman i Nikaraguas dhe Xhozef Estrada i Filipine.

Transparenca Ndërkombëtare propozon një plan prej 6 pikash për të pastruar financat e politikës. Grupi bën thirrje për financimin me fonde publike të fushatave elektorale dhe subvencione për shtypin, në mënyrë që partitë dhe kandidatët të konkurojnë në pozita të barabarta.//kk//

XS
SM
MD
LG