Lidhje

Roli i këshilltarëve në luftën politike - 2004-03-25


Në fillim të këtij muaji një mikrofon i hapur kapi komentet jopublike të kandidatit demokrat për president John Kerry, për kundërshtarët e tij republikanë. Zoti Kerry tha më pas se kur tha se ky ishte grupi më i korruptuar dhe më gënjeshtar që kishte parë ndonjëherë, nuk e kishte fjalën për presidentin Bush apo republikanët në përgjithësi, por për këshilltarët politikë, të cilët kanë sulmuar qëndrimet e tij gjatë karrierës si senator. Ky incident solli në vëmendjen publike rolin e këtyre lojtarëve të fshehtë në konkurencën politike. Amerikanët e kanë parë edhe në të kaluarën këtë skenar. Në televizor, prezantuesit e komentojnë incidentin me tone melodramatike. Më pas ata ftojnë për shpjegime analistë nga secili kamp politik, të cilët janë gjithnjë të gatshëm për sulm.

Kiki McClean, demokrate, vë në dukje se John Kerry sjell një mesazh për ndryshime në ekonomi, për të ndalur humbjen e vendeve të punës që ka shkaktuar administrata e presidentit Bush, si dhe për ndryshime në politikën e jashtme që deri tani ka qenë shkatërrimtare. Ndërsa, republikani Ralph Reed sulmon qëndrimin e zotit Kerry në Senat.

“Populli amerikan nuk e di që John Kerry votoi 350 herë për rritjen e taksave dhe për të eliminuar 27 sisteme armësh”.

Analisti i fushatave presidenciale B.J Rudell thotë se secila palë përdor elementë agresivë për të gjallëruar zgjedhësit e tyre:

“Qëllimi i tyre është të bëjnë zgjedhësit të ndjehen se opinioni i tyre po triumfon. Ndërkaq, kandidati për president mund të përqëndrohet në çështje të rëndësishme për të gjithë votuesit, në përpjekje për të tërhequr votuesit e pavarur, të cilët mund të anojnë nga secila parti”.

Ned Barnet ka qenë dirigjent prapa skenave i komenteve të këtyre strategjistëve politikë, pasi ka përgatitur fjalime si për kandidatë demokratë ashtu edhe republikanë në zgjedhje për guvernator dhe senat. Ai thotë se shumë nga strategjistët mund të shprehin një mendim shumë të logjikshëm në një minutë, dhe minutëm tjetër dalin plotësisht jashtë kontrollit.

“Pjesa më e madhe e tyre janë këshilltarë shumë të sofistikuar. Ata studiojnë anketat, artikujt në media, komentet e kandidatëve të tyre dhe të opozitës dhe dalin me një analizë të kujdesshme. Pastaj, shndërrohen në sulmues agresivë dhe fillojnë t’i kundërvihen palës tjetër pa u kushtuar rëndësi fakteve, në përpjekje për të mbytur me fjalë palën kundërshtare”.

Autorja e librit “21 ligjet për të qenë bindës”, Hellen Davis, pohon se këta strategjistë agresivë arrijnë të tërheqin shikues dhe të bindin disa votues. Por ajo shton se e vetmja mënyrë për ta ndërprerë këtë prirje është nëse një ndër strategët i përgjigjet sulmit të palës tjetër me qetësi, pa kaluar në ulërima dhe ofendime. Por ajo pranon se ky qëndrim do ta dëmtonte strategjistin, pasi ai nuk do të preferohej më si komentator në emisione televizive, që parapëlqejnë tone të ndezura diskutimi.

Shumë amerikanë thonë se janë ngopur me arrogancën dhe sulmet politike. Megjithatë, analisti Barnett thotë se këto emisione me retorikë të zjarrtë tërheqin gjithnjë një numër të konsiderueshëm shikuesish, prandaj edhe ofendimet dhe ulërimat nuk ka të ngjarë të ndalen së shpejti.

Vëzhguesit e debatit politik theksojnë se këshilltarët që hidhen në fyt të njëri-tjetrit gjatë emisioneve televizive, mund t’i shohësh shpesh duke pirë birrë së bashku, apo në mbrëmje argëtimi, kur kamerat dhe dritat shuhen. Me sa duket, i gjithë mllefi i tyre nuk është gjë tjetër veçse një shfaqje e inskenuar mirë për të tërhequr sa më shumë votues.//kk//

XS
SM
MD
LG