Lidhje

Të drejtat e njeriut në Kinë - 2004-03-26


Shtetet e Bashkuara do të propozojnë një rezolutë mbi Kinën në Komisionin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë. Synimi, thotë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Richard Boucher, është që qeveria kineze të nxitet për ndërmarrjen e hapave pozitive, hapave konkrete për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të popullit kinez. “Shtetet e Bashkuara kanë mbetur të zhgënjyera nga dështimi i Kinës për të përmbushur angazhimet e bëra në dialogun amerikano kinez mbi të drejtat e njeriut në dhjetor të vitit 2002, si edhe nga dështimi i Pekinit për të vënë në jetë premtimin për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e të drejtave të njeriut. në vitin 2003”

Shtetet e Bashkuara pranojnë se gjatë 20 viteve të fundit Kina ka bërë disa hapa drejt respektimit të të drejtave të popullit kinez, përfshirë sigurimin e ndihmës ligjore për njerëz të akuzuar për krime, zbutjen e disa kontrolleve mbi lëvizjen e njerëzve nga fshati në qytet dhe zgjerimin e të drejtave të mërgimtarëve të tillë të brendshëm përsa u përket shërbimeve bazë sociale. Këtë muaj, Kina miratoi amendamente kushtetuese mbi pronsinë private dhe të drejtat e njeriut. Por, zoti Boucher thotë se rezoluta amerikane nuk mbështetet në premtime të mëtejshme, por në praktikat aktuale të qeverisë kineze. “Ne, theksoi zoti Boucher, kemi parë arrestimin e veprimtarëve pro demokracisë, të disidentëve që shpehin pikëpamjet e tyre përmes internetit dhe të veprimtarëve kundër virusit HIV e sëmiundjes Sida. Ne kemi parë arrestimin e punëtorëve protestues, anëtarëve të kishave jozyrtare dhe të avokatëve mbrojtës. Shtypja e anëtarëve të lëvizjes medituese Falun Gong vazhdon.” “Në Kinë, thotë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Richard Boucher, ne kemi vërejtur vazhdimin e një seri arrestimesh dhe praktikash që bien ndesh me idenë se të drejtat e njeriut respektohen dhe ne do të dëshironim të shihnim dryshimin e këtyre praktikave.”

//rd//

XS
SM
MD
LG