Lidhje

Shqipëri: Shkatërrohet një rrjet prostitucioni - 2004-03-27


Vendosmëria e një vajze shqiptare për të hequr dorë nga profesioni i detyruar i prostitucionit dhe këmbëngulja e një francezi të dashuruar pas saj, kanë çuar në shkatërrimin e një rrjeti shqiptar të trafikut të femrave që vepronte në Francë.

26 vjeçarja nga Lushnja e cila ishte shfrytëzuar për prostitucion, kishte vendosur të krijonte familje me një shtetas francez. Por pengesë për të ishin bërë tutorët e saj trafikantë, të cilët i kishin marrë peng fëmijën në Shqipëri dhe kishin kërkuar si shkëmbim një shumë prej 100 mijë eurosh. Shtetasi francez kishte pranuar të kryente pagesën por ndërkohë kishte njoftuar edhe policinë.

Ai ka mbërritur të premten në aeroportin e Rinasit, ku e prisnin dy trafikantët. Në momentin që ata po përgatiteshin për të marrë shumën e parave, kanë ndërhyre forcat speciale të policisë të cilët kanë bërë arrestimin e tyre. Ndërkohë në Tiranë, është arrestuar trafikanti i tretë, dhe është lirua vajzën nga Lushnja dhe fëmija i saj.

Tre të arrestuarit Genci Sanxhaku, Fatjon Delia dhe Klodian Memoali, akuzohen jo vetëm për trafik femrash por dhe mbajtjen larg të personit të mitur, duke qenë se kanë përdorur si peng vajzën e vogël të 26 vjecares nga Lushnja.

Paralelisht në Francë policia e këtij vendi ka goditur pjesën tjetër të rrjetit kriminal duke vënë nën pranga 8 shqiptarë të tjerë, njëri prej të cilëve ishte nga Mitrovica e Kosovës.

Në Tiranë, policia ka vendosur edhe vënien nën sekuestro të një apartamenti luksoz dhe një veture Mercedes, prona të dy prej trafikantëve. Masat e sekuestrimit të pasurive të trafikantëve nisën të aplikoheshin në fillim të këtij viti, gjatë një operacioni që u ndërmor në të gjithë vendin.

Disa dhjetra hotele, restorante, bare dhe pasuri të tjera u bllokuan sic nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë. Aktualisht Shqipëria është në fazën e përgatitjes së një ligji antimafia, i cili synon të bllokojë të gjitha pasuritë e trafikantëve dhe të afërmve të tyre.

Në ndryshim nga legjislacioni i tanishëm, do të jenë të akuzuarit që duhet të vërtetojnë burimin e parave me të cilat ato kanë ngritur pasuritë e tyre.//kk//

XS
SM
MD
LG