Lidhje

Gjendja në Serbi mund të keqësohet - 2004-03-27


Me politikën e saj, Serbia duket gjithnjë e më tepër si në epokën e Millosheviçit pa Millosheviçin, thuhet në një raport të Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Reagimi i saj ndaj trazirave të këtij muaji në Kosovë, të cilat gati sa nuk shkaktuan dështimin e UNMIK-ut, mbështetja e madhe për ultranacionalistët në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit dhe vështirësitë për gati dy muaj të partive politike për formimin e një qeverie koalicioni, janë shenja që tregojnë se Serbinë e presin akoma shumë probleme.

Në vitin 2004, Serbia mund të përballet me një paqëndrueshmëri politike, keqësim të vazhdueshëm të mardhënieve me perëndimin dhe rënie të vazhdueshme të ekonomisë. Spastrimi etnik i serbëve nga shqiptarët në Kosovë, thuhet më tej në raportin e Grupit Ndërkombëtar i Krizave, ka ngjallur përsëri perspektivën e ndarjes së Kosovës, ka përforcuar ndjenjat nacionaliste të radikalëve si dhe ndjenjat anti- perëndimore.

Paqëndrueshmëria dhe gjendja e vështirë ekonomike mund të përshpejtojnë hapat e Malit të Zi drejt pavarësisë, ndërkohë që tensionet në Kosovë mund të përhapen në luginën e Preshevës, në rajonin e Sanxhakut dhe madje deri në Vojvodinë.

Këto perspektiva duhet ta nxisin komunitetin ndërkombëtar që të rishikojë politikën ndaj Serbisë. Gjithashtu ndihmat duhet të kushtëzohen më shumë. Qeveria e re e Serbisë mund të jetë shumë jetëshkurtër. Kjo qeveri ka divergjenca të brendshme serioze dhe statusi i saj i pakicës ia bën asaj të pamundur marrjen e vendimve të rëndësishme ekonomike, të nevojshme për ringjalljen e ekonomisë dhe sidomos nëse nuk merr ndihma të konsiderueshme nga jashtë.

Sidoqoftë, masat e para të kësaj qeverie, tregojnë se ajo është më e qëndrueshme dhe mund të mbijetojë më gjatë se sa parashikohet. Trazirat e Kosovës kanë qenë një faktor bashkimi, megjithëse i përkohshëm.

Ngjarjet në Kosovë kanë larguar vëmëndjen e institucioneve evropiane ndaj Serbisë dhe kanë dëmtuar besueshmërinë e Bashkimit Evropian, OKB-së Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, thuhet më tej në raport. Partitë të cilat ose e kundërshtojnë ose janë skeptike ndaj integrimit evropian përbëjnë 71 përqind të parlamentit. Partia Radikale Serbe ka një të tretën e anëtarëve të çdo komisioni parlamentar.

Forcat anti-reformiste në bllokun e ashtuquajtur demokrat duket se synojnë të ndalojnë masat e filluara në kohën e qeverisë së Gjingjiqit, madje radikalët kërkojnë kthimin prapa. Ekonomia dhe Kosova krijojnë një presion të madh për qeverinë dhe Partia Radikale ka shumë të ngjarë të përfitojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe vendore nga çdo pakënaqësi e popullit.

Për t’u bërë një vend i qëndrueshëm, Serbia duhet të bëjë dy ndryshime të ndjeshme, thuhet në raport. I pari është kalimi nga një shtet kriminal i kohës së Millosheviqit në një shoqëri më normale. I dytë është kalimi klasik Evropianolindor nga një ekonomi e kontrolluar nga shteti në një ekonomi të tregut të lirë. Ndryshimi i dytë nuk do të ndodhë në qoftë se nuk bëhet përparim në ndryshimin e parë.

Është pikërisht dështimi për të spastruar trashëgiminë e Millosheviçit në Serbit, sidomos në shërbimet e sigurimit, që ka bërë rikthimin e të djathtës ekstreme dhe ndaljen e reformave. Ndihma e komunitetit ndërkombëtar duhet të përqendrohet në përpjekjet për kalimin drejt një shoqërie më normale. Fatkeqësisht, qeveria e re ka dhënë shenja se është më e interesuar të zhdukë trashëgiminë e Gjingjiçit se sa të Millosheviçit.

Po bëhet gjithnjë e më e qartë se 5 nëntori i vitit 2000, dita kur u rrëzua regjimi i Millosheviçit ishte më pak revolucionar se sa u duk atëherë. Shumë nga demokratët e Serbisë pranuan mitin e kohës së Millosheviqit se të gjitha të këqijat e vendit vinin nga një dekadë luftërash, sanskionesh ndërkombëtare dhe bombardimeve të NATO-s. Shumë demokratë treguan pak entuziazëm për reforma dhe në shumë raste i bllokuan ato.

Strukturat e kohës së Millosheviqit janë akoma të paprekura në gjykata, polici, ushtri dhe institucione të tjera të rëndësishme. Media serbe është më pak e pavarur sot se sa ishte dy vjet më parë. Sot në Sërbi është pothuajse aq vështirë të bëhet biznes sa në kohën e Millosheviqit, gjë kjo e dëshmuar nga investimet e pakëta të huaja në këtë vend.

Institucionet e vetme që duken të funksionojnë deri diku normalish janë ushtria dhe Banka Kombëtare. Ndërkohë mungesa e statusit përfundimtar të Kosovës do të vazhdojë të mjegullojë politikën e brendshme dhe të pengojë dialogun politik normal.

Së shpejti Grupi Ndërkombëtar i Krizave do të publikojë një raport të veçantë mbi ngjarjet e marsit të vitit 2004 në Kosovë dhe ndikimin e tyre në të ardhmen e saj dhe politikën ndërkombëtare në përgjithësi në rajon.//kk//

XS
SM
MD
LG