Lidhje

Tunizia shtyn takimin e nivelit të lartë të Lidhjes Arabe - 2004-03-28


Tunizia shtyu takimin e nivelit të lartë të Lidhjes Arabe, që ishte planifikuar të fillonte nesër, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi reformat dhe çështje të tjera.

Një zëdhënës i ministrisë së jashtme tuniziane tha se takimi u shty për një kohë të pacaktuar për shkak të mosmarrëveshjeve mbi hapat për arritjen e përparimit demokratik, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe përmirësimin e statusit të gruas. Lidhja Arabe kishte në plan ta përdorte takimin për të rifilluar një nismë paqeje me Izraelin.

Vendimi i papritur u mor 36 orë para fillimit të planifikuar për nesër të takimit të nivelit të lartë të Lidhjes Arabe.

Ministria e jashtme e Tunizisë lëshoi një deklaratë dje vonë, në të cilën thoshte se takimi është shtyrë për një kohë të pacaktuar për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë të bëjmë me mënyrat për inkurajimin e reformave në rajon. Disa udhëheqës ishin nisur për në Tunizi kur u bë njoftimi.

Udhëheqësit e lartë të 22 vendeve anëtare të Lidhjes Arabe po diskutonin një sërë propozimesh mbi reformat në Lindjen e Mesme gjatë takimeve paraprake dy ditore.

Në qendër të debateve ishte e ashtuquajtura Nisma për një Lindje të Mesme më të madhe, një seri sugjerimesh që nuk janë njoftuar zyrtarisht nga Shtetet e Bashkuara. Vendet arabe kanë kundërshtuar idenë që reformat mund të imponohen nga jashtë.

Pas vrasjes javën e kaluar nga Izraeli të udhëheqësit shpirtëror të Hamasit, sheikut Ahmed Jasin, çështja e ndërlikuar e paqes midis Izraelit dhe palestinezëve u lidh me procesin e reformave në rajon, sepse shumë udhëheqës arabe mendojnë që ndryshimi i vërtetë nuk mund të bëhen pa një nismë të ripërtërirë të paqes.

Udhëheqësit e Bahreinit dhe të Arabisë Saudite njoftuan të premten se në vend të tyre do të dërgojnë zyrtarë të nivelit më të ulët, duke nxitur kështu spekullime për mosmarrëveshje mes zyrtarëve.

//ze//

XS
SM
MD
LG