Lidhje

Spanjë: forcat policore bastisën një shtëpi në afërsi të Madridit - 2004-03-28


Në Spanjë, forcat policore bastisën një shtëpi në afërsi të Madridit, ku mendohet të jetë përgatitur bombat, që u përdorën në sulmet terroriste të 11 marsit nga të cilët gjetën vdekjen 190 veta.

Mjetet spanjolle të informimit njoftojnë se në shtëpinë e bastisur pranë lagjes Morata de Tahuna, 30 kilometra në juglindje të kryeqytetit, policia gjeti detonatorë dhe gjurmë të lëndës plasëse Goma-dy që u përdorën në shpërthimet e Madridit. Policia gjeti në atë shtëpi edhe shenjtat e gishtërinjëve të dy prej personave të arrestuar, të cilët shikohen si të dyshuarit kryesorë. Policia e kishte mbajtur këtë shtëpi nën mbikqyrje që pak pas sulmeve.

Ndërkaq po dje në Madrid, një gjykatës shfuqizoi urdhërin, sipas të cilit ndalohej komunikimi me disa prej të arrestuarve. Kjo do të thotë se ata mund të bisedojnë me familjet dhe të këshillohen me avokatët e tyre.

Më 11 mars, terroristët hodhën në erë 10 bomba në 4 trena të Madridit gjatë orëve të mëngjesit me trafik të dëndur. Më shumë se 1 mijë e 800 veta u plagosën nga këto sulme. Shumica e personave të arrestuar në lidhje me shpërthimet janë marokenë.

Në Francën fqinje, policia liroi 3 persona të arrestuar kohët e fundit, pasi nuk gjeti prova se ata kishin lidhje me kërcënimet kundër sistemit hekurudhor të Francës. Një grup që e quajti veten A-Z-F kërcënoi se do të hidhte në erë trena në Francë në qoftë se nuk i jepeshin miliona dollarë.

//ze//

XS
SM
MD
LG