Lidhje

Moska e sheh Ballkanin si një pasqyrë të largët të realitetit rus - 2004-03-28


Pas trazirave të fundit në Kosovë, Rusia u shpreh se nuk mund të qëndrojë pasive. Zyrtarët rusë dënuan dhunën, duke fajësuar kryesisht shqiptarët dhe duke mbajtur anën e serbëve. Analisti Paul Goble, specialist për Rusinë, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se një nga arsyet e këtij qëndrimi, është ngjashmëria që sheh Moska midis Serbisë dhe Rusisë.

Zëri i Amerikës: Duket se Rusia po zhvillon një diplomaci aktive në Ballkan. Ajo është shprehur hapur pro serbëve gjatë konfliktit të fundit në Kosovë. A mendoni se Rusia po e rishikon mundësinë e shtimit të rolit të saj në Ballkan?

Paul Goble: Mendoj se qeveria ruse ka folur hapur për dy arsye: Nga njëra anë, rusët shohin një mundësi për të patur ndikim në Evropë, ata e shohin që Perëndimi është i ndarë, prandaj Moska do të luajë një rol. Për këtë arësye, nga këndvështrimi i Rusisë, është e rëndësishme që Moska të japë pikëpamjen e saj, sepse ekzistojnë mendime, sipas të cilave, roli i Rusisë nuk është shumë i rëndësishëm dhe kjo nuk u pëlqen rusëve. Në të njëjtën kohë, ajo që po bën Rusia me çështjen e Kosovës, është se ajo po luan të njëjtin një rol që ka luajtur për vite me radhë në rajon, duke e parë Ballkanin si një pasqyrë të largët të realitetit rus, duke e konsideruar se ajo që po ndodh me serbët, mund t’u ndodhë rusëve në vendin e tyre; pra, në rastin e qëndrimit pro-serb dhe kundër shqiptarëve, kemi të bëjmë me një politikë të zgjuar nga ana e Rusisë. Si zakonisht, edhe këtë herë, zoti Putin po e kombinon politikën e brendshme me atë të jashtme.

Zëri i Amerikës: Në politikën aktuale që po ndjek Rusia, në qëndrimin e saj ndaj krizës aktuale në Ballkan, a ju duket se ajo po ndikohet gjithashtu nga aleanca tradicionale që ka patur me Serbinë?

Paul Goble: Mendoj se për këtë çështje është folur më tepër se duhet, duke e mbivlerësuar aleancën tradicionale të Rusisë me Serbinë. Shumë komente emocionale janë bërë lidhur me të ashtuqujturën dashuri midis vendeve sllave. Por është fakt, që politika ruse gjatë 50 vjetëve të fundit shpeshherë është larguar nga pozicioni pro-serb, kur kjo u ka shërbyer interesave të Moskës. Nga ana emocionale, mund të them se rusët mbajnë anën e serbëve, por përsa i përket politikës së Rusisë në praktikë, shpesh ka qenë ndryshe. Në rastin konkret, mendoj se Moska sheh një përfitim në politikën brenda vendit dhe po ashtu edhe në aspektin ndërkombëtar, kur mbështet idenë e qëndrueshmërisë, në Ballkan dhe është kundër ndryshimeve. Ky është një pozicion, me të cilin Perëndimi ndihet mirë; ky qëndrim i jep njëkohësisht mundësinë Moskës të mbajë qëndrim ndaj një popullsie myslimane, gjë që u shkon shumë për shtat evropianëve. Pra, nuk është për t’u çuditur që Rusia flet hapur për këto probleme, por nuk do të shkoja më tej, duke thënë se Moska në rastin e konfliktit të Kosovës, do të ndikohej nga qëndrimi i saj tradicional pro Serbisë.

Zëri i Amerikës: Moska po mbështet politikën e Koshtunicës për kantonizimin e Kosovës. A ka ndjekur ajo të njëjtën politikë edhe brenda vendit të saj?

Paul Goble: Në shumicën e rasteve, Rusia nuk zbaton të njëjtën politikë brenda vendit ashtu sikurse shprehet për çështjet ndërkombëtare, por disa njerëz shqetësohen se kjo mund të ndodhë. Gjendja demografike në Rusi është shumë më negative, sipas pikëpamjes ruse, se sa gjendja demografike në Serbi. Popullsia islamike në ish-republikat sovjetike po rritet me shpejtësi. Rusët po shohin se qytetet e tyre nuk do të jenë më etnikisht ruse, por me një numër në rritje të pakicës myslimane. Pra kur ndodhin fenomene të ngjashme jashtë vendit, rusët i shohin ato me emocione të veçanta. Ata do të mbrojnë me sa të munden idenë e qëndrueshmërisë, ngaqë qeveria ruse frikësohet se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe në vendin e tyre. Ky është edhe një rast, që rusët duan të tingëllojnë të mirë për popullsinë ruse dhe gjithashtu, për të përçarë Perëndimin; kjo ka qenë gjithmonë politika e Moskës në Ballkan. //kk//

XS
SM
MD
LG