Lidhje

Raporti i Komisionit Evropian: Shqipëria ende nuk ofron garanci të mjaftueshme për zbatimin e marrëveshjes së stabilizim-asociimit - 2004-03-30


Shqipëria nuk arriti të marrë një vlerësim optimist për përpjekjet e saj për t’u afruar me Bashkimin Evropian. Raporti i miratuar sot pasdite nga Komisioni Evropian nxjerr në pah se ecuria në procesin e bisedimeve për marrëveshjen e stabilizim-asociimit ka qenë e ngadaltë. Qeveria shqiptare vazhdon të deklarojë se ky proces është përparësi e saj, por sipas raportit, jo gjithmonë veprimet e saj kanë mbështetur këtë gjë dhe shumë nga reformat e domosdoshme për të garantuar zbatimin e duhur të kësaj marrëveshjeje nuk janë kryer.

Vetëm një numër i kufizuar i rekomandimeve të bëra janë zbatuar plotësisht, thuhet në raport, sipas të cilit, Shqipëria ende nuk ofron garanci të mjaftueshme për të treguar se do të ishte e aftë për të zbatuar si duhet marrëveshjen e ardhshme të stabilizim-asociimit. Para se të përfundojnë bisedimet, Shqipëria, thekson raporti, duhet të tregojë se ka bërë përparime të konsiderueshme në reforma dhe se është në gjendje të verë në zbatim kërkesat që ajo vetë i ka negociuar.

Përgjegjësia për këtë situatë i vihet natyrshëm qeverisë dhe klasës politike shqiptare. Shqipëria, thuhet në raport, mbetet një demokraci e re dhe relativisht e paqendrueshme. Interesat afatmesme të vendit shpesh sakrifikohen përballë interesave aftashkurtëra dhe të ngushta politike. Klima politike, sipas raportit, nuk ka lejuar kryerjen e reformave. Lufta për lidershipin e Partisë Socialiste, saktësohet më tej, ndikoi negativisht në stabilitetin e qeverisë duke qenë se vëmendja e saj u përqendrua gjithnjë e më tepër në vështirësitë e brendshme dhe, në kushtet e një opozite përherë e më obstruksioniste, programi i reformave vazhdoi të pësonte vonesa. Sipas Komisionit Evropian, paqendrueshmëria politike dhe përqëndrimi i kufizuar i vëmendjes drejt reformave po vë në rrezik qendrueshmërinë afatmesme të rritjes ekonomike dhe aftësitë e vendit për zbutjen e varfërisë.

Mjedisi që rrethon biznesin, është i papërshtatshëm dhe pak inkurajues për investime, konstatohet në raport, ku theksohet se korrupsioni, krimi i organizuar, zbatimi i mangët i ligjit dhe administrata joefektive vazhdojnë të krijojnë barriera për biznesin dhe të cënojnë sigurinë ligjore.

Korrupsioni shumë i përhapur dhe krimi i organizuar vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim serioz për stabilitetin dhe sigurinë e vendit, vë në dukje raporti. Sipas teksit të miratuar sot, progresi real në luftën kundër krimit të organizuar ka qenë i dobët. Shqipëria, sipas raportit, vazhdonte të kryente aksione sporadike kundër krimit, por pa mundur të garantonte hetimin dhe gjykimin për një numër të konsiderueshëmm të arrestuarish. Puna e policisë dhe e prokurorisë në këtë drejtim konsiderohet e dobët dhe e pakënaqshme. Sistemi aktual i hetimit të krimit të organizuar është i paefektshëm dhe tejet i pambrojtur ndaj korrupsionit dhe frikësimit të hetuesve.

Po sipas raportit, i dobët vlerësohet dhe sistemi gjyqësor, ku aftësitë profesionale të gjykatësve, prokurorëve, policisë gjyqësore dhe personelit administrativ shihen si të kufizuara. Në raport shkruhet se shteti ligjor vazhdon të jetë i ndikuar negativisht nga dobësitë e sistemit gjyqësor dhe administratës publike, si dhe nga krimi i organizuar e korrupsioni, i cili vlerësohet si një problem serioz.

Komisioni Evropian thekson se për arritjen e përparimeve të konsiderueshme në procesin e asociim-stabilizimit, Shqipëria duhet të ndërmarrë reforma të rëndësishme dhe urgjente në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit, në forcimin e sistemit gjyqësor dhe administratës publike, në garantimin e funksionimit të drejtë të demokracisë, përfshirë edhe zgjedhjet dhe ruajtjen e stabilitetit politik të domosdoshëm për zbatimin e reformave, në përmirësimin në fushën e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave, si dhe në formalizimin e mëtejshëm dhe reformat në ekonomi dhe rritjen e qendrueshme e fiskale me anë të administratave doganore më të efektshme dhe me një kuadër ligjor më të fortë.

Për sa kohë, Shqipëria dëshëron të ecë përpara në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, thuhet në raport, është e domosdoshme që ajo të tregojë vullnetin politik vendosmërinë dhe aftësinë për t’i trajtuar pa vonesë çështjet kyçe të identifikuara në raportin e miratuar sot pasdite. //az//

XS
SM
MD
LG