Lidhje

Presidenti Bush u uroi zyrtarisht 7 vendeve mirëseardhjen në NATO - 2004-03-30


Aleanca e Natos ka tani 7 anëtarë të rinj, nga Evropa Veriore dhe Qendrore duke u shtrirë deri pranë kufijve të Rusisë. Ceremonia e zyrtare e pranimit të tyre u organizua të hënën në Shtëpinë e Bardhë. Të ftuar në ceremoni ishin edhe tre vendet ballkanike që shpresojnë të anëtarësohen sa më shpejt në aleancën e Atlantikut Verior.

Presidenti Bush tha se 7 vendet e reja e njohin mirë çmimin e lirisë dhe si rezultat i tyre aleanca e Natos do të bëhet më e fortë.

“Si dëshmitarë të disa prej krimeve më të mëdha të shekullit të kaluar, anëtarët e rinj do t’i sjellin qartësi morale qëllimit të aleancës. Ata, tha Presidenti Bush e kuptojnë kauzën tonë në Afganistan dhe Irak, pasi tirania është ende e freskët në kujtesën e tyre.”

Presidenti Bush i bëri këto komente në Shtëpinë e Bardhë vetëm disa orë pasi 7 vendet e reja dorëzuan dokumentet zyrtare të anëtarësimit. Ceremonia e pranimit të tyre u organizua në kryeqytetin amerikan, pjesërisht, pasi Traktati i Aleancës së Atlantikut që u nënshkrua në Uashington në vitin 1949 ruhet në arkivat amerikane dhe gjithë dokumentet e anëtarësimit depozitohen atje.

Shtatë vendet e reja që u pranuan të hënën janë Bullgaria, Rumania, Sllovenia, Sllovakia, dhe tre vendet balltike Estonia, Lituiania dhe Letonia.

Presidenti Bush tha se sfida e parë për Naton pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik ishte Ballkani. Sfida e dytë tha ai, erdhi menjëherë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

“Evropa dhe Amerika, theksoi presidenti amerikan, janë të afta ta përhapion lirinë dhe t’u japin shpresë atyre që kërkojnë të shkëpusin vargonjtë e izolimit, frikës dhe shtypjes. Ky është misioni që historia i ka caktuar Natos, kësaj aleance të madhe prej 26 anëtarësh. Dhe ne e pranojmë me krenari këtë mision.”

Në ceremoni ishin ftuar edhe tre vendet ballkanike Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia. Duke përshëndetur këto tre vende që shpresojnë të jenë në grupin e ardhshëm të zgjerimrit të Natos, presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara i mbështesin përpjekjet e tyre.

“Dyert e aleancës do të jenë të hapura derisa gjithë Evropa të jetë e bashkuar në liri dhe paqe.”

Kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano, i tha Zërit të Amerikës pas ceremonisë se kjo ishte një ditë e rëndësishme për gjithë shqiptarët. Duke u shprehur optimist për anëtarësimin e vendit të tij në Natos, kryeministri Nano tha se Shqipëria ka tani përpara detyrën e rëndësishme të thellimit të reformave.

Ky ishte zgjerimi më i madh i Natos i bërë në një ditë të vetme në historinë e aleancës. Pas këtij zgjerimi, 40 përqind e vendeve të Natos, janë tani nga ish vendet që dikur ishin nën ndikimin sovjetik.

Rusia ka shprehur shqetësime për zgjerimin e fundit të Natos dhe ka rënë dakort të dërgojë të premten një delegacion në Bruksel për bisedime me zyrtarët e Natos. Po të premten, 19 flamujve të aleancës do t’u shtohen edhe 7 flamujt e vendeve të reja në një ceremoni zyrtar enë Bruksel.

XS
SM
MD
LG