Lidhje

Kondoliza Rajs do të dëshmojë publikisht para komisionit hetimor - 2004-03-31


Këshilltarja e Shtëpisë së Brdhë për Sigurimin Kombëtar, Kondaliza Rajs, do të dëshmojë publikisht para komisionit që po heton sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001. Edhe Presidenti Bush e Nënpresidenti Cheney do të takohen në një sesion të përbashkët me dyer të mbyllura me dhjetë anëtarët e komisionit:

Presidenti thotë se komisioni ka një detyrë të rëndësishme dhe se Shtëpia e Bardhë po bashkëpunon plotësisht duke paraqitur dokumentet përkatëse, duke dhënë intervista me dyer të mbylluara dhe tani me dëshminë publike të zonjës Rajs.

“Unë, tha Presidsenti Bush, kam dhënë urdhër për këtë nivel bashkëpunimi për shkak se mendoj që është e domosdoshme për të krijuar një pamje të plotë të muajve dhe viteve para vrasjes së qytetarëve tonë më 11 shtator 2001.”

Ky vendim përbën një ndryshim të madh në qendrimin e Shtëpisë së Bardhë, e cila kishte këmbëngulur se zonja Rajs e kishte të ndaluar të dëshmonte në publik para çdo komisioni të ngritur nga Kongresi për shkak të natyrës delikate të këshillave që ajo i jep presidentit.

Por, ky argument filloi të humbë mbështetjen pas polemikave rreth akuzave nga ish zyrtari i Shtëpisë së Bardhë kundër terrorizmt, Riçard Klark. Ai i tha komisionit javën e kaluar se administrata e Presidentit Bush nuk e kishte trajtuar kërcënimin terrorist si përparësi para sulmeve të 11 shtatorit, por ishte përqendruar tek Iraku.

Në komentet e tij për gazetarë, presidenti nuk përmendi zotin Klark, por u prëqendrua tek natyra e komisionit dhe e punës së tij: “Kombi ynë nuk duhet të harrojë kurrë mësimet e 11 shtatorit dhe ne nuk duhet të mendojmë se rreziku ka kaluar.”

Sipas marrëveshjes së arritur, komisioni nuk do të bëjë kërkesa të mëtejshme për dëshmi publike nga zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, përrfshirë zonjën Rajs. Presidenti tha se rrethanat e paraqitjes së këshilltares së tij janë të veçanta, siç ishin ngjarjet e asaj dite të shtatorit dy vjet e gjysmë më parë.

“Komisioni dhe udhëheqësit e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, theksoi presidenti, kanë dhënë garanci me shkrim se paraqitja e këshilltares për sigurimin kombëtar nuk do të përdoret si precedent për procese hetimore në të ardhmen.”

Anëtarët e komisionit e mbështetën njëzëri marrëveshjen dhe përshëndetën vendimin e presidentit. Kryetari republikan i komisionit, Tom Kean, u tha gazetarëve se kushtet e caktuara nga Shtëpia e Bardhë janë plotësisht të pranueshme: “Ne presim me padurim takimin e komisionit me presidentin dhe me nënpresidentin, si edhe dëshminë publike nga Doktoresha Rajs.”

Nënkryetari demokrat i komisionit, Lee Hamilton, vuri në dukje se dëshmia e Riçard Klarkut u kishte dhënë seancave të mëparshme nuanca patrtiake. Ai premtoi se do të bëhen të gjitha përpjekjet për të mbajtuar politikën jashtë procesit gjatë dëshmisë së zonjës Rajs.

“Zoti Kean dhe unë, tha zoti Hamilton, kemi detyrën të përpiqemi të mos lejojmë shfaqjen e nuancave partiake në këto seanca. Dhe kjo do të bëhet duke u përqendruar tek faktet, duke kërkuar informacion specifik dhe pastaj të shohim se çfarë koncensusi mund të ndërtojmë.”

Të dy udhëheqësit e komisionit theksuan se marrëveshja e arritur me Shtëpinë e Bardhë do t’i krijojë komisionit mundësinë të marrë gjithë informacionin e nevojëshëm për të përmbushur misionin e tij dhe për të përgatitur një raport të mirë mbi sulmet e 11 shtatorit 2001.

XS
SM
MD
LG