Lidhje

Kryeministër Nano: Ky është viti i përafrimit me BE-në dhe NATO-n - 2004-03-31


Kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano po vazhdon vizitën e tij të punës në Uashington, ku erdhi për të marrë pjesë në ceremonitë e zgjerimit të NATO-s me 7 vende të reja. Kryeminsitri bëri një vizitë në Zërin e Amerikës, ku dha një intervistë për shërbimin shqip.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, mirëse erdhët!

Kryeministër Fatos Nano: Jam i nderuar edhe unë që kam këtë mundësi që t’ju takoj dhe të komunikoj me dëgjuesit tuaj të shumtë nëpërmjet Zërit të Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeminister, gjatë këtyre ditëve këtu në Uashington, ju keni patur një sërë takimesh, keni marrë pjesë në ceremoninë në Shtëpinë e Bardhë. Me çfare mesazhi do të largoheni nga Shtetet e Bashkuara dhe cili do të jetë mesazhi për popullin shqiptar?

Kryeministër Fatos Nano: Është kënaqësi e jashtëzakonshme që Shqipëria, të cilën unë përfaqësoj me autoritetin e kryeministrit, u ftua në ceremoninë e zgjerimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut me shtatë anëtarë të rinj, së bashku me vendet anëtare të Kartës së Adriatikut, të këtij partneriteti në zhvillim me Shtetet e Bashkuara, i cili na dha mundësinë të prekim me dorë realitetet e reja të bashkëpunimit të solidaritetit dhe të rritjes sonë në koalicionin global të luftës kundër terrorizmit, në bashkëveprimin me Shtetet e Bashkuara dhe me institucionet e tjera drejtuese të Aleancës që po shoqërojnë afrimin dhe përgatitjen për t’u bërë e denjë për anëtarësim edhe të vendit tonë, në një rajon delikat siç e dini dhe të dëgjonim vlerësimet shumë miqësore dhe mbështetjen e lartë politike të presidentit Bush - Ju e dini që ai e përmendi tri herë Shqipërinë në fjalën e tij në këtë ngjarje historike - të sekretarit Powell, të sekretarit Rumsfeld, të kryetarit të maxhorancës në Kongres, Tom Delay, të Kryetarit të Komisionit të Jashtëm, Henry Hyde dhe të një numri të madh kongresmenësh me të cilët pata kënaqësinë të ndaj gëzimin e rezolutës që u votua dje në seancën e Dhomës së Përfaqësuesve, me rezultatin shumë domethënës 422 me 2, që shpreh praktikisht mbështetjen e madhe që ka Shqipëria, qeveria e saj, aktorët e shoqërisë civile dhe të strukturave të luftës kundër dobësive të sistemit, krimit të organizuar, trafiqeve, të cilat me mbështetjen amerikane po rrisin efektin dhe rolin e tyre konstruktiv në gjithë rajonin e Ballkanit.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano, për ju personalisht, si kryeministër i Shqipërisë, sa me rëndësi ishte prania juaj në një grup të tillë udhëheqësish nga Evropa Lindore?

Kryeministër Fatos Nano: Tashmë është bërë pjesë e axhendës tonë të punës shkëmbimi i drejpërdrejtë i mendimeve dhe informacioneve midis kryeministrave të vendeve të reja, që po anëtarësohen, apo janë aspirante dhe kandidate tashmë shumë të afërta në institucionet e botës euroatlantike dhe unë besoj se tashmë jemi partnerë të barabartë dhe aktivë të këtij komuniteti, vlerësojmë njëri-tjetrin, vlerësohemi së bashku nga aktorët globalë të botës në të cilën jetojmë, shkëmbejmë kontribute edhe të drejtpërdrejta në funksion të dinamizimit të reformave dhe të forcimit të marrëdhënieve të partneritetit me qendrat e politikës globale dhe kjo i shërben të mirës së vendeve tona, të mirës së rajonit në të cilin jetojmë, krijimit të një Evrope të lirë, në paqe dhe të sigurtë, në të cilën sigurisht edhe kufijtë do të jenë më të hapur, të kalueshëm për lëvizjet e lira të qytetarëve, për vlerat që ata bartin dhe sigurisht më të pakalueshëm çdo ditë e më shumë për trafikantët dhe keqbërësit terroristë, apo pjesëtarë të krimit të organizuar.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano, këto ditë çështja e Kosovës ka qenë në vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare. Qëndrimi i Shqipërisë është vlerësuar si një faktor stabilizues në rajon. Po ju personalisht a mendoni se tani është koha të shpejtohen bisedimet për çështjen e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës, apo duhet pritur ende?

Kryeministër Fatos Nano: Unë besoj se edhe Kosova është në rrugën e duhur, ka kuadrin e duhur, ka përfaqësuesit e vet legjitimë, të zgjedhur demokratikisht, ka një proces shumë aktiv asistence dhe partneriteti me institucionet ndërkombëtare, jo vetëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por edhe të Organizatës së Sigurisë dhe Bashkëpunimit Evropian, të Komisionit Evropian, të NATO-s e të tjera, të cilat janë të pranishme në të gjitha kryeqytetet e Ballkanit dhe tashmë është një stinë punësh të mëdha edhe për Kosovën dhe unë jam shumë i kënaqur që gjej ashtu si drejtuesit e organizatave ndërkombëtare, partnerë të denjë në Kosovë, partnerë që flasin shqip. Nuk jam fare xheloz që janë dy kryeministra shqiptarë në Ballkan dhe më vjen mirë që ashtu si kryetari i Parlamentit, apo drejtuesit e partive politike kosovare, drejtuesit e institucioneve të sigurisë, kanë marrë tashmë përgjegjësinë, për të dinamizuar veprimet që forcojnë institucionet e reja demokratike në Kosovë, që i bëjnë ato më të afta për të thithur autoritetin e organizatave ndërkombëtare që e sollën Kosovën në liri dhe në procesin e evropianizimit dhe që sigurisht do ta bëjnë më me përmbajtje, diskutimin për statusin e saj, i cili natyrisht ka të njëjtin terminal me Beogradin, apo me Tiranën, është terminali i Brukselit.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, suksesi i politikës së jashtme të qeverisë shqiptare është pranuar nga të gjithë nga jashtë, gjithashtu edhe brenda në Shqipëri. Po gjendja e brendshme politike, sa e qëndrueshme është?

Kryeministër Fatos Nano: Shqipëria është një vend i qëndrueshëm, një demokraci e gjallë, me aktorët dhe formacionet e njohura, të cilat janë përfshirë në proçesin e bashkëveprimit apo të kontestimit, në një situatë normale, demokratike, në institucionet ku funksionon demokracia dhe besoj se tashmë provat janë aty për të kuptuar që ky është vit reformash të mëdha, është vit i negociatave të rëndësishme për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në Bashkimin Europian, është viti i përshpejtimit të veprimeve për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut Verior, është vit i investimeve të mëdha publike dhe private, është vit i aktivizimit të tregjeve rajonale dhe i programeve të bashkëpunimit në rajon, është i vit i rritjes së kontributeve shqiptare në modernizimin e Ballkanit dhe në integrimin e tij në Botën moderne. Unë besoj se këto janë interesa të mëdha që i bashkojnë edhe forcat politike në një proces kombëtar dhe shkëmbimi i kontributeve midis tyre edhe kur është alternativ, besoj është në të mirën e përparimit të vendit.

Zëri i Amerikës: Ju zoti Kryeministër sigurisht jeni në dijeni të raportit që ka lëshuar Komisioni Europian dje, në të cilin nuk jepet një vlerësim shumë pozitiv për ecurinë e reformave në vendin tuaj. A është ky një vlerësim real i gjendjen në vendin tuaj?

Kryeministër Fatos Nano: Ky është një raport realist dhe ai përmbledh të gjithë lëndën e punës që ne ndajmë me Komisionin Europian dhe me përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bahskimit Evropian, ashtu si me Shtetet e Bashkuara, në procesin e reformave, të negociatave, të krijimit të kapacitetëve, të përmbushjes së kërkesave dhe të standarteve që do ta bëjnë Shqipërinë padyshim, është një proçes i pakthyeshëm, anëtare me të drejta të plota të këtij komuniteti efikas. Pra, qëndrimi im ndaj raportit është proaktiv, ashtu siç demostron edhe raporti ecurinë e reformave diku më mirë, diku më ngadalë, me besim në kapacitetet e institucioneve shqiptare, të Qeverisë Shqiptare, të politikës shqiptare, të shoqërisë civile shqiptare, të gjyqësorit në Shqipëri, të sipërmarrjes sonë evropiane dhe prova më e mirë për këtë është që sot paradite, në Parlamentin Europian u votua njëzëri mbështetja e re buxhetore për Shqipërinë, prej 25 milionë eurosh, gjë që do të thotë se instrumentat e partneritetit dhe të bashkëpunimit, edhe me tonet kritike që ato përmbajnë, nxisin dhe plotësojnë procesin e anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian në kohën e duhur.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, sa ka ndryshuar Fatos Nano si politikan, si udhëheqës gjatë viteve të fundit? Kritikët thonë se ju keni konsoliduar pushtetin, nuk jeni aq tolerant sa në të kaluarën për mendime alternative, keni marrë masa kundër kundërshtarëve, keni prirje autoritare. Sa ka ndryshuar Fatos Nanoja gjatë këtyre dy viteve të fundit?

Kryeministër Fatos Nano: Më ndihmoni të rishfaq karakterin tim demokrat, liberal dhe të një njeriu të aksionit për zgjerimin e lirive të shoqërisë, të qytetarëve dhe të miqve ndërkombëtarë me të cilët punojmë dhe jetojmë. Unë jam një luftëtar i lirisë. Unë e kam ruajtur filozofinë time progresiste edhe në kushtet kur të tjerët ma kanë mohuar lirinë. Ashtu si unë, shqiptarët kanë pasur mungesa të lirisë gjatë 60 vjetëve të fundit, që lidheshin me regjimin komunist, që lidheshin me spontanitetin dhe konfuzionin e viteve të para të tranzicionit drejt demokracisë perëndimore dhe unë besoj se jam njeriu më pak i lirë sot për t’u sjellë në mënyrë private apo personale me miqtë apo ata që shpallen, apo kualifikohen si kundërshtarë apo jo si simpatizantë të mi. Unë jam një njeri i ekzekutivit, jam drejtues politik i një maxhorance progresiste dhe jam i lumtur që edhe këtu në Uashington gjej të njëjtën frymë solidariteti që buron nga forcimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit të Shqipërisë me aktorët e mëdhenj të botës ku jetojmë.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër, shumë faleminderit! Ishte një kënaqësi.

Kryeministër Fatos Nano: Ishte nder për mua të shfrytëzoj këtë mundësi.

XS
SM
MD
LG