Lidhje

Serbia humbet 25 milion dollarë ndihma amerikane - 2004-03-31


Shtetet e Bashkuara po ndërpresin ndihmat për Sërbinë e Malin e Zi, pasi u arrit në përfundimin se qeveria e Beogradit nuk po bashkëpunon plotësisht me gjykatën e Hagës për krimet e luftës në ish Jugosllavi.

Vendimi për ndërprerjen e ndihmave do të thotë se Washingtoni nuk do t’i dërgojë Sërbisë 25 milion dollarë. Dërgimi i ndihmave amerikane Sërbisë e Malit të Zi varet nga vërtetimi vjetor nga administrata amerikane i bashkëpunimit të Beogradit me gjykatën ndërkombëtare të krimeve të luftës në Hagë.

Administrata amerikane arriti të vërtetonte këtë bashkëpunim gjatë 3 vjetëve të kaluara që prej rënies së qeverisë së Sllobodan Millosheviçit, i cili po gjykohet në Hagë për krime lufte.

Por zyrtarë të departamentit amerikan të shtetit thonë se mbështetja për gjykatën e Hagës është pakësuar gjatë muajve të fundit, pas ardhjes në pushtet në Beograd të një qeverie të re koalicioni, e cila varet nga mbështetja në parlament prej nacionalistëve sërbë.

Gjatë një konference shtypi, zëdhënësi i departamentit të shtetit, Adam Ereli, konfirmoi se sekretari i shtetit Colin Powell, nuk vërtetoi bashkëpunimin e Beogradit me gjykatën e Hagës dje, afati vjetor i këtij vërtetimi, i domosdoshëm që Beogradi të marrë ndihmat amerikane.

“Si rezultat, duke filluar nga 31 marsi, ndihmat e reja për Sërbinë do të ndalojnë. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Beogradit që të bashkëpunojnë plotësisht me gjykatën e Hagës, duke arrestuar dhe transferuar personat e paditur për krime, veçanërisht Ratko Mlladiçin, për t’u përballur me drejtësinë në Hagë. Është e rëndësishme të theksohet se në se Sërbia e Mali i Zi marrin masa në të ardhmen, sekretari Powell është gati t’i shtyrtojë këto masa për të përcaktuar në se ato përmbushin kërkesat në bazë të ligjit.”

Ratko Mlladiç ishte komandant i ushtrisë së republikës sërbe të Bosnjes në fillim të viteve 90-të kur u kryen një numër krimesh kundër boshnjakëve dhe kroatëve.

Zëdhënësi Ereli tha se zyrtarët amerikanë mendojnë se 16 persona të paditur për krime lufte “kalojnë një pjesë të mirë të kohës në Sërbi dhe se Ratko Mlladiçi ka qënë në pozitë që të kapet dhe duhet të kapet.”

Mos vërtetimi i bashkëpunimit të Sërbisë me gjykatën e Hagës do të thotë që rreth 25 milion dollarë nga një paketë ndihmash prej 100 milion dollarësh për vitin financiar 2004 nuk do t’i dërgohen Beogradit.

Zyrtarët amerikanë i kishin paralajmëruar në mënyrë të përsëritur zyrtarët sërbë se ndihmat ishin në rrezik.

Zyrtari i tretë më i lartë i departamentit amerikan të shtetit, nën-sekretari i çështjeve politike, Marc Grossman, e ngriti këtë çëshjtje përsëri në një mision këtë javë në Beograd gjatë të cilit ai zhvilloi bisedime me kryeministrin sërb, Vojisllav Koshtunica.

Zëdhënësi Ereli u shpreh me një ton pajtues ndaj qeverisë së zotit Koshtunica, kur tha se nën-sekretari Grossman doli nga bisedimet me besimin se udhëheqja në Beograd “i njeh përgjegjësitë e saj” dhe se bashkëpunimi midis dy vendeve “është me siguri i mundshëm.”

Ai tha se Shtetet e Bashkuara duan ta shikojnë Sërbinë të arrijë sukses dhe duan të bashkëpunojnë me të për ta ndihmuar që të përmbushë detyrimet ndërkombëtar në mënyrë që, siç u shpreh ai, “ne të mund të ecim përpara.”

Zoti Koshtunica mori pushtetin në janar si kryetar i një koalicioni të pakicës, që varet nga mbështetja e Partisë Socialiste Sërbe të Sllobodan Millosheviçit.

Kryeministri Koshtunica, i cili njihet nga zyrtarët amerikanë që nga periudha kur ishte president i Jugosllavisë, ka kritikuar gjykatën e Hagës si dhe dorëzimin atje të zotit Misholleshiç, duke thënë se autoritetet e akuzuar për krime lufte duhet të gjykohen në Sërbi.

//ze//

XS
SM
MD
LG