Lidhje

Ritmet e vdekshmërisë mes të rinjve, shqetësimi më i madh në vendet në zhvillim - 2004-04-01


Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thanë se ritmet e vdekshmërisë në moshat e reja janë shqetësimi më i madh për popullatën në vendet në zhvillim ku vdekshmëria e foshnjave dhe virusi HIV së bashku më Sidën janë çështjet më shqetësuese.

Zyrtarët thonë se situata është shumë ndryshe në vendet e zhvilluara ku sfidat kryesore demografike janë fertiliteti dhe popullata e moshuar. Korrespondentja Jenny Falcon na sjell hollësi rreth publikimit të tendencave të popullësisë botërore dhe imigracionit për 10 vitet e fundit.

Kombet e Bashkuara kanë publikuar dy raporte të reja që japin një vështrim të përgjithshëm të tendencave të popullësisë botërore dhe imigracionit në dhjetëvjeçarin që pasoi takimin ndërkombëtar në Kairo të nivelit të lartë mbi popullsinë në vitin 1994.

Raportet tregojnë se është bërë përparim në uljen e shtimit të popullsisë. Ritmi i rritjes së popullësisë është tani rreth 1 presje 3 përqind në vit, nga 1 presje 7 përqind 10 vjet më parë. Virusi Hiv dhe Sida që kanë përfshirë Afrikën nënsahariane kanë qënë shkaktare të uljes së jetëgjatësisë në atë rajon.

Mbi 80 përqind e vendeve në zhvillim radhisin vdekshmërinë gjatë lindjes, atë të foshnjeve dhe Sidën si problemet më serioze. Përveç luftës kundër këtyre sfidave, 3 të katërtat e vendeve afrikane si dhe shumica e vendeve në zhvillim ende i kanë shumë të larta rritmet e shtimit të popullësisë.

Drejtori i Sektorit të Kombeve të Bashkuara për Popullësinë, Joseph Chamie, u tha gazetarëve se kjo është në kontrast të thellë me botën e zhvilluar.

“Është shumë e qartë. Problemi kryesor shqetësues për vendet në zhvillim është vdekshmëria dhe në disa vende rritja e shpejtë e numrit të popullësisë. Në kontrast me këtë, shqetësim për shumë në mos për të gjitha vendet e zhvilluara janë lindjet e pakëta dhe ulja e rritjes së popullsisë”.

Raportet e Kombeve të Bashkuara tregojnë se 40 përqind e vendeve të zhvilluara kanë miratuar politika për të rritur shtimin e popullsisë dhe shumë janë të shqetësuara për plakjen e saj. Në të njejtën kohë kufizimi i imigracionit është bërë një problem i përbashkët si për vendet e zhvilluara edhe ato në zhvillim. Kombet e Bashkuara llogarisin se rreth 175 milion njerëz ose 3 përqind e popullësisë botërore janë tani imigrantë ndërkombëtarë dhe ky numër është në rritje.//kk//

XS
SM
MD
LG