Lidhje

Takimi vjetor i Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut filloi në Gjenevë - 2004-04-02


Takimi vjetor i Komisionit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut filloi në Gjenevë. Një ndër karakteristikat thelbësore të sesioneve të tilla, thotë Richard Williamson, përfaqësues i Shteteve të Bashkuara pranë këtij komisioni, është “identifikimi dhe mbulimi me turp” i shkelësve të të drejtave të njeriut. “Kemi parë raste, herë pas here,” tha ai, “kur këto vende kanë shprehur ankesa, por kanë treguar përparim të ngadaltë kur komisioni i ka vënë në shenjestrën e tij.”

Ambasadori Williamson përmendi një numër vendesh ku shkelen të drejtat e njeriut. Në Kubë, tha ai, shkeljet e të drejtave të njeriut “janë keqësuar në mënyrë dramatike.”

"Në mars 2003, shtatëdhjetë e pesë disidentë u dënuan me nga mesatarisht 25 vjet burgim pasi u përpoqën të ushtronin të drejtat bazë. Në Kubë, diskriminimi vazhdon. Sistemi gjyqësor nuk është i pavarur. Ka shtypje. Nuk ka liri shtypi dhe të shprehjes së lirë. Për më tepër, kushtet çnjerëzore për të burgosurit janë diçka e zakontë.”

Në Lindjen e Mesme, tha ambasadori Williamson “problemet në respektimin e të drejtave të njeriut nga qeveria e Iranit u keqësuan. Qeveria siriane vazhdoi të kryejë shkelje serioze. Në Arabinë Saudite, ende nuk ekziston liria e besimit fetar. Në Egjipt qeveria futi në zbatim në vitin 2003 disa reforma, të cilat mund të kenë ndikim të fuqishëm; megjithatë, mund të nevojiten shumë më tepër përmirësime.”

Në Azinë lindore, qeveria birmaneze kryen shkelje të mëdha të drejtave të njeriut. Dhe Koreja e Veriut, tha ambasadori Williamson, “vazhdon të jetë një ndër regjimet më çnjerëzore të botës.” Ndërsa në rastin e Kinës, tha ai, “Ne e filluam vitin 2003 me shpresën se përparimi i parë në vitin 2002 do të vazhdonte.”

"Ne vumë re me keqardhje një kthim prapa në çështje të rëndësishme të të drejtave të njeriut. U shtua numri i arrestimit të veprimtarëve pro demokracisë. Zbatimi i të drejtave të njeriut nga qeveria kineze në Tibet mbetet i dobët.”

Vende të tjera ku Komisioni i Kombeve të Bashkuara duhet të përqëndrohet lidhur me gjendjen e të drejtave të njeriut përfshijnë Zimbabvenë, Republikën Demokratike të Kongos, Sudanin, Rusinë, Bjellorusinë, Turkmenistanin dhe Uzbekistanin. “Nëse nuk ngremë zërin,” tha ambasadori Williamson, “ne me të vërtetë lëmë në baltë veten, po aq sa edhe njerëzit që po vuajnë.”

//ze//

XS
SM
MD
LG