Lidhje

Gjashtë kroatë të Bosnjes të akuzuar për krime lufte dorëzohen në Gjykatën e Hagës - 2004-04-03


Gjashtë kroatë të Bosnjës të akuzuar për krime kundër myslimanëve gjatë konfliktit boshnjak të viteve 1990, po i dorëzohen gjykatës së Hagës. Gjashtë ish zyrtarët kanë në plan të nisen të hënën për në Hollandë.

Paditë kundër tyre u bënë të njohura dje në Hagë. Ata akuzohen për veprime çnjerëzore, përndjekje, përdhunim, burgim dhe vrasje kundër myslimanëve të Bosnjës. Gjykata e Hagës thotë se ata u përpoqën të kryenin spastrimin etnik në disa zona nën kontrollin kroat në vitin 1993, pas shpalljes së Bosnje-Hercegovinës. Ata thonë se janë të pafajëshëm. Mes tyre janë ish- Kryeministri Jadanko Përliç, ish-Ministri i Mbrojtjes Brono Stojiç, dy ish shefa të milicive kroate, Sllobodan Praljak dhe Milivoj Petkoviç, si edhe shefi i policisë Valentin Coriç. I gjashti është Berisllav Pushiç, ish-i ngarkuar për të burgosurit dhe personat e zhdukur në atë shtet.

Ndërkohë, përfaqësuesi i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje-Hercegovinë, Paddy Ashdown, pezulloi pagesat për zyrtarë serbë të Bosnjës, për të cilët ai thotë se po fshehin Radovan Karaxhiçin, i cili është akuzuar për krime lufte.

Zoti Ashdown tha sot në Sarajevë se ai do t’i mohojë financimin Partisë Demokratike Serbe në të gjitha nivelet, për shkak të kundërshtimit të saj për të bashkëpunuar me Gjykatën e Hagës. Sipas zotit Ashdown, zyra e tij mendon se partia serbe e Bosnjës i vazhdon lidhjet financiare me themeluesin e saj, Radovan Karaxhiç.// lk //

XS
SM
MD
LG