Lidhje

Dera e BE-se dhe NATO-s e hapur për Shqipërinë, por vetëm nëse plotësohen kushtet - 2004-04-04


Java që po mbyllet pati lajme të mira dhe të këqia për Shqipërinë. Kryeministri Fatos Nano mori pjesë në ceremoninë e futjes së 7 vendeve të reja anëtare në NATO. Vizita e Kryeministrit Nano në Shtetet e Bashkuara i la Shqipërisë shpresa të hapura për anëtarësim në aleancë.

Por nga ana tjetër, raporti i Komisionit Evropian për procesin e Stabilizim-Asociimit nuk paraqiste një tablo inkurajuese për suksesin e Shqipërisë në rrugën e afrimit me Bashkimin Evropian.

Ekspertë e zyrtarë amerikanë dhe evropianë, shprehën për Zërin e Amerikës mendimin e përgjithshëm që Shqipëria ka bërë përparim. Megjithatë ka gjithmonë një “por” që vjen pas dhe që ka të bëjë me mangësitë në reforma, shtetin ligjor dhe luftën kundër krimit.

Bashkërenduesi i Paktit të Stabilitetit, Erhard Busek thekson se një nga problemet qendron tek vetë fakti se gjendja në Shqipëri ishte e keqe që kur filluan përpjekjet për afrimin me Bashkimin Evropian.

“Pa dyshim që në Shqipëri janë bërë përmirësime, por një nga problemet është se çdo gjë filloi nga një nivel shumë i ulët. Megjithatë, mendoj se shteti ligjor dhe demokracia po konsolidohen, biznesi është përmirësuar, por ka ende shumë punë për të bërë”.

Zoti Busek mendon se Pakti i Stabilitetit është ende i nevojshëm dhe se puna e tij do të mbarojë kur të gjitha vendet të jenë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por ai thekson se një gjë e tillë është ende larg.

Stefan Lehne, drejtor i zyrës së Këshillit të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore tha se Shqipëria po bën përparim në drejtim të procesit të Stabilizim-Asociimit.

“Bisedimet po shkojnë mirë, por Bashkimi Evropian e ka bërë shumë të qartë që negociatat nuk mund të përfundojnë pa përparim të mjaftueshëm në reforma dhe për këtë arsye ne po ndjekim me shumë kujdes se çfarë po bëhet në Shqipëri, veçanërisht në drejtim të shtetit ligjor e të reformave dhe që t’jua them sinqerisht jo të gjithë janë shumë të kënaqur nga përparimi që është bërë deri tani”, tha ai.

Zoti Lehne shtoi se Bashkimi Evropian shpreson që Shqipëria të përshpejtojë përpjekjet në këtë drejtim, në mënyrë që të përfundohet marrëveshja e stabilizim-asociimit.

Hyrja në radhët e Bashkimit Evropian është vetëm një nga synimet euroatlantike të Shqipërisë, që shkon paralel me qëllimin për t’u anëtarësuar në NATO. Janusz Bugajski, ekspert në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, për çështje ballkanike, tha për Zërin e Amerikës se ishte shumë e rëndësishme që tre vendet e kartës së Adriatikut ishin ftuar në ceremoninë e zgjerimit të NATO-s në Washington. “Me fjalë të tjera kjo tregon se edhe Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia mendohet të jenë në rrugën e fazës së ardhshme të anëtarësimit dhe është e rëndësishme që ato të jenë këtu që të ndjehen pjesë e organizatës, kontribues të mundshëm të organizatës, e jo thjesht përfitues të saj”, tha ai.

Zoti Bugajski thekson se Shqipërinë ashtu si edhe vende të tjera e presin shumë sfida.

“Por veçanërisht në rastin e Shqipërisë ato janë garantimi i qëndrueshmërisë dhe sigurisë brenda vendit, zhvillimi, reformat, ristrukturimi, lufta kundër krimit, me fjalë të tjera të gjitha çështjet për të cilat ne kemi punuar kaq shumë për ta ndihmuar Shqipërinë. Këto ndryshime duhen realizuar në mënyrë që Shqipëria të kualifikohet si anëtare e NATO-s”.

Zoti Bugajski e sheh problemin tek zbatimi. Ai thotë se mund të jenë miratuar ligje, mund të jenë thënë fjalë, por prova është zbatimi dhe sipas tij në këtë drejtim nuk është arritur shumë dhe ka ende shumë punë për të bërë.

Megjithëse si Bashkimi Evropian, ashtu edhe NATO-ja thonë se dyert janë të hapura për vendet e tjera që duan të anëtarësohen, në fund të fundit kur merren vendime për hapa të mëtejshme afrimi me këto organizma, përparimit të bërë i kushtohet shumë më pak vëmendje sesa mungesës së tij.

XS
SM
MD
LG