Lidhje

Spanjë: anëtarët kryesorë të grupit terrorist i akuzuar për sulmet e 11 marsit në Madrid kanë vdekur ose janë burgosur - 2004-04-04


Në Spanjë, ministri i brendshëm Angel Acebes, tha se anëtarët kryesorë të grupit terrorist i akuzuar për sulmet e 11 marsit në sistemin hekurudhor të Madridit kanë vdekur ose janë burgosur.

Deklarata e zotit Acebes pason një shpërthim të shtunën në një lagje të Madridit, ku u vranë 5 terroristë të dyshuar, përfshirë edhe organizatorin tunizian të shpërthimeve të Madridit.

Zoti Acebes ka fajësuar për shpërthimet në sistemin hekurudhor të Madridit Grupin Luftarak Islamik maroken, i cili thuhet se ka lidhje me al-Kaidën.

15 të dyshuar të tjerë për shpërthimet, përfshirë edhe 11 marokenë, mbahen tashmë nga autoritetet.

Pesë ekstremistët që humbën jetën të shtunën hodhën veten në erë në një godinë apartamentesh në një lagje të Madridit, e cila ishte rrethuar nga policia. Shpërthimi shkaktoi edhe vdekjen e një polici dhe plagosjen e 12 të tjerëve.

Ministri i brëndshëm Acebes tha se celula terroriste me sa duket ishte duke planifikuar sulme të tjera para incidentit të së shtunës. Ai tha se në vendin e shpërthimit policia gjeti materiale për prodhim bombash, disa prej të cilëve ishin të njëjta me eksplozivin e përdorur në shpërthimet e 11 marsit në sistemin e Madridit.

//ze//

XS
SM
MD
LG