Lidhje

”Shqiptaret e Amerikes” - një libër i ri për komunitetin shqiptaro-amerikan - 2004-04-05


Ka disa muaj që në Shtetet e Bashkuara ështe botuar libri ”Shqiptaret e Amerikes”, një vepër voluminoze shkruar nga gazetari i këtij komuniteti, Vehbi Bajrami dhe me një parathënie nga shkrimtari i njohur Ismail Kadare. Në një bisedë me kolegun tonë Astrit Lulushi, zoti Bajrami tha se qellimi i këtij libri është që nëpërmjet përshkrimit të figurave të njohura e më pak të njohura, të nxjerrë në pah idenë se shqiptarët e Amerikes edhe pse larg, në momente kyçe historike i janë gjendur pranë vendit të prejardhjes së tyre. Libri prej më se 1 mije faqesh është nje pasqyrim i rruges që ka përshkuar diaspora shqiptare ne Amerike qe nga fillimet e saj nga fundi shekullit 19.

Kjo diaspore, kaloi nje periudhe ngrirje apo amullie pas luftës së dytë botërore kur në vendet e Ballkanit erdhen në pushtet regjimet komuniste dhe filloi të rigjallerohej pas viteve 90 me shëmbjen e diktaturave komuniste, me hapjen e kufijve që solli edhe vershimin e emigrantëve te rinj.

Këtij brezi emigrantësh i përket edhe autori Vehbi Bajrami nga Lugina e Preshevës.

Me krijimin e gazetës shqiptaro amerikane Iliria në New York, ne vitin 1991 zoti Bajrami filloi punën si gazetar e më pas kryeredaktor i saj. Kjo, thotë ai, i dha rastin të njihej më thellë e më gjërë me jetën e komunitetit dhe keshtu i lindi ideja për të shkruar librin Shqiptarët e Amerikes.

Në librin e tij, zoti Bajrami nëpermjet figurave te ndryshme, pasqyron sukseset, dhimbjet dhe vuajtjet e shqiptareve në mërgim. Këta shqiptarë, thotë autori u bënë gjithashtu bartësit dhe përçuesit më të mirë të idealeve amerikane duke filluar që nga e drejta e popujve të vegjël për vetvendosje, e drejtë e shpallur në fillim të shekullit 20 nga presidenti Widrow Willson që parandaloi copëtimin e Shqipërisë, dhe deri në atë të mbrojtjes me çdo kusht të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës, të drejta për të cilat në vitin 1999, presidenti Bill Klinton udhëhoqi koalicionin ndërkombetar në luftën kundër Serbisë. Këto, thote zoti Bajram, jane edhe dy nga periudhat më vendimtare të historise se popullit shqiptar, dhe në të dyja këto raste ndihet roli i diasporës.

Zoti Bajrami thotë se libri ështe pritur mirë nga shqiptarët e Amerikes, si dhe nga shtypi në Shqipëri e Kosovë. Por në disa raste autori edhe eshte kritikuar. Disa thonë se një botim anglisht i librit do të merrte vlera njohëse edhe më të mëdha, ndërsa të tjerë kritikojnë autorin për lënien jashtë të ndonjë emri apo figure që ka dhënë ndihmese ne diasporë e në çeshtjen shqiptare. Zoti Bajrami thote se shpreh mirekuptim per shqetesime te tilla, dhe se ato përfshihen në planet e tij për një libër tjetër në të ardhmen.

Por prapseprapë, siç shprehet në parathënie edhe shkrimtari i njohur Ismail Kadare, “libri Shqiptarët e Amerikes i Vehbi Bajramit është përpjekja e parë serioze dhe e suksesshme për te shkruar “librin total” për një nga mërgatat më të mëdha të krejt historise shqiptare.”

XS
SM
MD
LG