Lidhje

Prirje të reja për reforma në botën arabe - 2004-04-06


Thirjet për ndryshime në Lindjen e Mesme vazhdojnë të shtohen. Kjo u bë e qartë në një konferencë të zhvilluar kohët e fundit në Aleksandri të Egjiptit, mbi “Çështjet e Reformës Arabe.” Takimi me udhëheqës grupesh civile nga vende arabe përfundoi me një komunikatë në të cilën thuhej “Reformat janë të nevojshme dhe duhet të fillojnë menjëherë.” Kjo nënkupton, thuhet në deklaratën e Aleksandrisë, se çdo vend arab duhet të ketë “një organ të zgjedhur legjislativ, një sistem gjyqësor të pavarur, një mbikqyrje kushtetutore, si dhe parti politike me ideologji të ndryshme.”

Deklarata e Aleksandrisë bën gjithashtu thirje për “liri për të gjitha format e të shprehurit, veçanërisht për lirinë e shtypit si dhe mbështetje për të drejtat e njeriut në përputhje me kartat ndërkombëtare, veçanërisht për të drejtat e grave, fëmijëve dhe pakicave.”

Ismail Siraxh El-Din është drejtor i Bibliotekës së Aleksandrisë, ku u zhvillua konferenca. Siç i tha ai agjencisë së lajmeve në internet, IslamOnline, “bota jonë arabe ka nevojë urgjente për të përparuar drejt reformave të gjithanshme, në mënyrë që të mos jetojë e izoluar nga bota që na rrethon.”

Në disa vende arabe, udhëheqësit qeveritarë kanë filluar të marrin masa për reforma. Në vende të tjera ka pasur përpjekje shumë të vogla. Por interesi i arabëve për reforma është i qartë, tha Richard Boucher, zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit:

“Duket se ekziston një përpjekje e sinqertë në rajon për të gjetur fusha ku të zbatohen reforma, ku ata të mund të modernizojnë ekonomitë, shoqëritë dhe sistemet e tyre politike. Në shumë raste këto reforma janë prirje të brendshme. Ato e kanë burimin në rajon dhe synimi ynë është të mbështesim reformat dhe modernizimin që e ka zanafillën në rajon,” tha zoti Boucher.

Kjo mbështetje mirëpritet nga reformatorët arabë, thotë egjiptiani Osama Ghazali Harb, një ndër autorët e Deklaratës së Aleksandrisë. Në të vërtetë, thotë ai, mbështetja e Shteteve të Bashkuara dhe demokracive të tjera për idetë e Deklaratës së Aleksandrisë, “do të forcojë dhe nxisë këtë prirje për reforma.”

//ad//

XS
SM
MD
LG