Lidhje

Përkrahësit e klerikut Moktada al-Sadër përleshen me trupat italiane - 2004-04-06


Përkrahës të armatosur të klerikut radikal shiit u përleshën me trupa italiane në qytetin Nasirija të Irakut jugor. Ushtria italiane tha se dhjetra ushtarë u plagosën ndërsa përpiqeshin të shpërndanin disa qindra përkrahës të kelrikut shiit Moktada al Sadër të cilët kishin bllokuar urat e qytetit. Ata thanë se luftëtarët hapën zjarr dhe trupat italiane u kundërpërgjigjën. Nuk është ende e qartë në se ka ndonjë viktimë në radhët e përkrahësve të klerikut.

Ndërkohë Moktada al-Sadër i cili ishte ngujuar në xhaminë shiite kryesore të Badgatit që mbrohet nga përkrahësit e tij të armatosur, tha se është larguar nga ndërtesa dhe ka shkuar në qytetin e shenjtë të Naxhafit. Në një deklaratë, kleriku tha se u largua nga xhamia pasi kishte frikë se forcat e koalicionit do të sulmonin ndërtesën.

Dje, Autoriteti i Përkohshëm amerikan njoftoi se një gjykatës irakian kishte nxjerr kohë më parë një urdhër arresti për Moktada al-Sadrin në lidhje me vrasjen e një kleriku tjetër vitin e kaluar në një xhami të Naxhafit. Po dje trupat amerikane bllokuan rrugët që të çojnë në Falluxha në përgatitje për një operacion madhor në këtë qytet që ka qënë skenë e sulmeve të vazhdueshme kundër forcave të koalicionit.

//rd//

XS
SM
MD
LG