Lidhje

Në ndjekje të vrasësve të klerikut irakian - 2004-04-07


Më 10 prill mbushet një vit që nga vrasja e klerikut shiit irakian Sajed Abdul Maxhid al-Khoei. Vetëm pak ditë pas kthimit në Irak nga mërgimi në Londër, ai u vra nga një turmë në faltoren e Imam Aliut në Naxhaf. Sajed Abdul Maxhid rridhte nga një familje e shquar klerikësh myslimanë shiitë, e cila nxiste dialogun ndërmjet besimeve të ndryshme në Irak. Gjatë fëmijërisë në Naxhaf, ai pa me sytë e tij brutalitetin e regjimit të Sadam Huseinit. Në vitin 1991 ai u detyrua të shkonte në mërgim. Por sapo Iraku u çlirua, ai u kthye me shpresën se do të ndihmonte bashkëatdhetarët e tij irakianë për të rindërtuar vendin.

Mbi 20 veta janë në listën e të dyshuarve për vrasjen e Sajed Abdul Maxhid al-Khoei. Më shumë se 10 vetë janë arrestuar, ndër të cilët edhe Mustafa Yakubi. Ai është një ndër ndihmësit e Maktada al-Sadr, kleriku ekstremist shiit, turmat terroristë të të cilit kanë sulmuar forcat e koalicionit dhe qytetarë irakianë. Më 5 prill, zyrtarët e koalicionit njoftuan se një gjykatës irakian ka nxjerrë një urdhër-arresti për vetë klerikun al-Sadr. Ky urdhër-arresti, thanë zyrtarët e koalicionit, mund të vihet në zbatim në çdo kohë.

Dan Senor është zëdhënës i Autoritetit të Përkohshëm të Koalicionit. Ai thotë se dhuna nuk do të tolerohet në Irak:

“Debati sot në Irak nuk zhvillohet ndërmjet dy grupeve etnike apo dy rajoneve, por ndërmjet të moderuarve dhe ekstremistëve, dhe në Irak nuk ka vend për ekstremistët,” tha zoti Senor.

Presidenti George Bush tha se njerëz si Moktada al-Sadri duan ta përcaktojnë të ardhmen e Irakut “përmes dhunës.

“Ky është një incident i veçantë me klerikun Sadr, një person që ka vendosur të ushtrojë dhunën në vend që të lejojë lulëzimin e demokracisë. Ne nuk mund ta lejojmë një gjë të tillë,” tha presidenti Bush.

Presidenti tha se terroristët “duan të dobësojnë vendosmërinë tonë.”

“Na duhet të marrim masa të forta në Irak. Ne do t’i përmbahemi kursit tonë dhe do të bëjmë ato që duhen. Ne do të bëjmë të mundur krijimin e një Iraku të lirë, jo vetëm për hir të sigurisë sonë, por të popujve të lirë kudo,” tha presidenti.

Mesazhi për irakianët, tha presidenti Bush “është se nuk duhet të shqetësohen se Amerika mund të trembet dhe të sprapset.”

//ad//

XS
SM
MD
LG