Lidhje

Presidenti Bush diskutoi mbi luftimet në Irak me ekipin e sigurimit kombëtar - 2004-04-07


Presidenti Bush diskutoi mbi luftimet në Irak me ekipin e tij të sigurimit kombëtar. Zoti Bush i telefonoi gjithashtu kryeministrit britanik, Tony Blair, në prag të takimit ndërmjet tyre javën e ardhshme në Washington.

Presidenti Bush kryesoi me videofon nga ferma e tij në Teksas një mbledhje të ekipit të sigurimit kombëtar. Në këtë diskutim mbi luftimet në Irak morën pjesë komandanti amerikan, John Abizaid, dhe administratori civil i Irakut, Paul Bremer.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë se presidenti u informua në lidhje me operacionet ushtarake amerikane në Falluxha dhe se do të vazhdojë të këshillohet, kur ta shohë të arësyeshme.

Zoti Bush i telefonoi Kryeministrit Tony Blair për të diskutuar mbi Irakun para udhëtimit të udhëheqësit britanik për në Shtetet e Bashkuara javën e ardhshme. Zyrtarë britanikë thonë se kryeministri do të takohet më 15 prill me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, për të diskutuar mbi rolin e OKB-së në dorëzimin e planifikuar të pushtetit në Irak. Ai do të takohet me Presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë një ditë më pas.

Si Washingtoni, ashtu edhe Londra po e hedhin poshtë idenë se fjala është për një takim krize. Luftime të ashpra me besnikë të armatosur të një kleriku shiit vendas kanë vënë në pikëpyetje planet për dorëzimin e pushtetit në më pak se 90 ditë.

Duke folur të martën me studentë në shtetin jugor Arkansas, Presidenti Bush tha se luftimet që po vazhdojnë në Irak janë pjesë e luftës për liri.

“Na pret një punë e madhe në Irak, pasi, siç e shihni, ka terroristë që më parë do të vrisnin të pafajshëm se sa të lejojnë përparimin e lirisë. Ata njerëz urrejnë lirinë ndërsa ne e duam atë. Kjo është edhe kontradikta jonë”, tha Presidenti.

Presidenti Bush tha se do t’i përmbahet afatit për dorëzimin e pushtetit një qeverie të re irakiane.

“Do të duhet kohë deri sa ta kuptojnë se çfarë është liria. Ne do ta dorëzojmë sovranitetin më 30 qershor. Do t’i përmbahemi kursit tonë. Nuk do të frikësohemi nga bandiditët apo vrasësit. Nuk do t’ia kthejmë shpinën njerëzve që mezi e presin ardhjen e lirisë, sepse ju e dini sepse: ne e kuptojmë që një Irak i lirë është një shans historik për të ndihmuar në ndryshimin e botës dhe që bota të bëhet më paqësore,” tha ai.

Presidenti thotë se Iraku është fronti qendror i luftës kundër terrorizmit. Sfiduesi i tij demokrat në zgjedhjet e sivjetme presidenciale, senatori nga shteti Massachussetts, John Kerry, thotë se zoti Bush e çorientoi vendin duke e futur në luftë me arësyetimin se armët irakiane të shkatërrimit në masë përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë.

Asnjë nga këto armë nuk është gjetur ende. Ish-shefi amerikan i inspektorëve për armët e shkatërrimit në masë thotë se të dhënat e zbulimit të para luftës për armë kimike, biologjike e bërthamore irakiane ishin thuajse krejtësisht të gabuara.

Më shumë se 600 ushtarakë amerikanë kanë humbur jetën në Irak - më shumë se dy të tretat e tyre që nga shpallja nga ana Presidentit Bush të përfundimit të luftimeve kryesore para 11 muajsh. I pyetur nëse përleshjet e tanishme shënojnë rifillimin e luftimeve në shkallë të gjerë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott Mclellan, tha se nuk do t’i përshkruante ato si të tilla.//kk//

XS
SM
MD
LG