Lidhje

Lufta kundër kancerit vazhdon - 2004-04-08


Kanë kaluar 32 vjet që nga dita kur Presienti Nixon i shpalli luftë kancerit. Kjo sëmundje zë vendin e dytë për rrezikshmëri pas sëmundjeve të zemrës dhe është shkaku i më shumë 500 mijë vdekjeve çdo vit në Shtetet e Bashkuara. Por përparimet në fushën e mjekësisë e kanë ulur vdekshmërinë për disa lloje kanceri dhe kanë bërë që pacientët të jetojnë më gjatë e të kenë jetë më të mirë. Siç njofton nga Houstoni në shtetin Texas, korrespondenti ynë, Greg Flakus, një nga qendrat mjekësore më të njohura në Amerikë po punon për të ndihmuar pacientët dhe familjet e tyre për të përballuar më mirë këtë sëmundje dhe hedhur vështrimin drejt mundësisë për një të ardhme më të mirë.

Në repartin e pediatrisë në Qendrën Anderson për Trajtimin e Kancerit, pacientët e vegjël e kalojnë kohën ndërmjet seancave të trajtimit duke zhvilluar mësim. Ata kanë gjithashtu kohë të luajnë e të kalojnë kohë me familjet e tyre.

Doktor Eugenie Kleinerman thotë se ruajtja e disa aspekteve të jetës normale është thelbësore në kuadër të luftës kundër sëmundjes.

"Zhvillojmë mësim çdo ditë nga ora 10 deri më 12 dhe nga 1 e pasdites deri më 3. Fëmijët janë të detyruar të marrin pjesë në mësim dhe ne kemi një program të plotë mësimor, përfshirë edhe fizkulturën. Një fakt i tillë jep një mesazh pozitiv pacientit”.

Kanceri mund të jetë sëmundje që veç pacientëve, u sjell mjaft probleme familjeve të tyre. Për këtë arësye, doktor Kleinerman thotë se spitali siguron mbështetje edhe për familjet.

"Ne kemi një program psikologjik tepër aktiv. Punonjësit tanë socialë dhe kujdestarët tanë bashkëpunojnë me familjet. Kemi shumë seanca edukimi për familjet. Ne trajtojmë në thellësi se çfarë duhet pritur në raste të tilla dhe si duhen përballuar ato; cilat janë efektet anësore. Pacientët e shohin qendrën tonë si një shtëpi të dytë dhe ne bëhemi pjesë e familjeve të tyre. Ata na drejtohen ne për shumë gjëra”.

Qendra Anderson është pjesë e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Texasit në Houston e cila njihet në të gjithë botën për trajtim mjekësor dhe përparime shkencore. Që me fillimin e operacioneve në vitin 1944, atje janë trajtuar 600 mijë pacientë nga e gjithë bota.

Doktor James Cox, drejtor i Repartit Onkologjik të Rrezeve, thotë se shumica e pacientëve qendrojnë atje për trajtime afatshkurtëra dhe kthehen në vendlindje për vazhdimin e trajtimit.

"Pacientët vijnë në qendrën tonë për t’u operuar apo për një vlerësim fillestar e përcaktim të kurës dhe kthehen në shëpi. Ata mund të mos gjejnë atje të njëjtin personel të kualifikuar, por pajisjet janë të njësoj”.

Doktor Cox pret me padurim ditën, kur Qendra Anderson të ketë një repart të plotë trajtimi me protone. Ndryshe nga sistemet e zakonshme me rreze, ky trajtim i ri mund të shkatërrojë qelizat kanceroze, ndërkohë që ruan të paprekura shumicën e indeve të shëndosha. Arsyeja për këtë mundësia për të kontrolluar e drejtuar deri në imtësi projektorët me protone. Ai thotë se për asgjësimin e tumoreve trajtimi me protone merr 5 deri në 7 javë dhe deri nga viti 2006 dhe se shpreson që të trajtohen deri në 3 mijë pacientë në vit.

Disa arritje shkencore kanë ndihmuar në luftën kundër sëmundjes, por kanceri është vështirë të sulmohet në të gjitha frontet. Ai shfaqet në gati 100 forma dhe nganjëherë nuk zbulohet deri kur të ketë përparuar aq shumë sa shpëtimi i pacientit të jetë i pamundur. Megjithatë, deri tani në Shtetet e Bahskuara janë shëruar më shumë se 8 milionë pacientë. Qendra Anderson dhe klinika të tjera në mbarë botën vazhdojnë përpjekjet e tyre për zhdukjen e kancerit.

XS
SM
MD
LG