Lidhje

Një prej masakrave më të rënda të shekullit të 20-të ndodhi në Ruandë - 2004-04-09


Para 10 vjetësh, një prej masakrave më të rënda të shekullit të 20 ndodhi në Ruandë. Për dekada të tëra, Ruanda ishte e përçarë nga konflikti etnik midis pakicës tutsi dhe shumicës hutu. Vrasjet masive filluan më 6 prill të vitit 1994 vetëm disa orë pas rrëzimit misterioz të aeroplanit me të cilin po udhëtonte presidenti i atij vendi, Juvenal Habyarimana.

Më shumë se 800 mijë veta u masakruan kur përkrahësit e presidentit Habyarimana vunë në shënjestër popullsinë etnike tutsi dhe elementë politikisht të moderuar të shumicës hutu, të cilët ata i akuzuan se simpatizonin kryengritësit tutsi. Dhjetra mijëra fëmijë humbën nënat dhe baballarët e tyre. Mijëra gra ishin viktima të brutalitetit dhe përdhunimit të tmerrshëm. Qindra mijëra të tjerë ikën nga vendi.

Për shumë ruandezë, trashëgimia e traumës dhe dhimbjeve që shkatoi gjenocidi nuk ka marrë fund. Shumë gra u prekën nga sëmundja vdekjeprurëse e Sidës gjatë përdhunimeve masive dhe më vonë vdiqën, duke lënë jetimë mijëra fëmijë. Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, rreth 100 mijë fëmijë janë tani jetimë në Ruandë, ose sepse prindërit e tyre u vranë nga gjenocidi, ose se vdiqën nga Sida, ose sepse u burgosën për një krim që kishte lidhje me masakrat masive.

Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës në Ruandë po ndjek penalisht personat, që mbajnë përgjegjësinë më të madhe për gjenocidin. Dhjetra udhëheqës ruandezë janë gjetur fajtorë, përfshirë Zhan Kambanda, kryeministri i qeverisë së Ruandës gjatë periudhës së gjenocidës. Por qindra të dyshuar vazhdojnë t’i shpëtojnë drejtësisë. Mes tyre janë Felishien Kabuga, një afarist i pasur, i cili akuzohet se ishte financieri kryesor i radio-stacionit ruandez, që i bënte thirrje komunitetit hutu që të vriste etnikët tutsi. Ai akuzohet gjithashtu se ka furnizuar me armë milicitë hutu.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar një shpërblim prej 5 milion dollarësh për informacione që çojnë në arrestimin e zotit Kabuga ose arrestimin e çdo personi të paditur nga gjykata e OKB-së. Siç u shpreh zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit Adam Ereli, “Shtetet e Bashkuara janë përpjekur vazhdimisht të ndihmojnë në nxjerrjen para drejtësisë të personave përgjegjës për këto akte të tmerrshme në Ruanë madje ne vazhdojmë, shtoi zëdhënësi Erele, të mbështesin popullin ruandez ndërkohë që ai përpiqet të rindërtojë vendin e vet pas gjenocidit.”

Gjenocidi i vitit 1994 në Ruandë lindi nga një vijë politike, që synonte shkatërrimin sistematik të një populli. Populli i Ruandës mbijetoi, por plagët janë të thella. Dëmi i shkaktuar në Ruanda nga urrejtjet etnike është një dëshmi e përjetuar nga bota, e cila mund të nxjerrë mësime në të ardhmen.

//ze//

XS
SM
MD
LG