Lidhje

Përdorimi i fondeve për Statujën e Lirisë shkakton debate - 2004-04-10


Simboli më i çmuar i lirisë i Shteteve të Bashkuara, Statuja e Lirisë është vendosur në qendër të polemikave lidhur me fondet dhe mundësitë për ta vizituar atë nga brenda.

Simbolika e Statujës së Lirisë dhe vendndodhja e tij në një ishull të vogël në hyrje të Portit të New Yorkut bëri që zyrtarët ta mbyllin menjëherë monumentin pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Pas 100 ditësh, vizitorët u lejuan përsëri të shkojnë në ishull, por fondacioni privat që u ngarkua me rihapjen vetë statujës tha se duheshin para për riparime dhe për shtimin e masave të sigurisë. Javën e kaluar, me një bujë të madhe fondacioni deklaroi se ishin grumbulluar 7 milionë dollarë përmes dhurimesh për rihapjen e Statujës së Lirisë në Korrik, kur do të lejohen turistët të hyjnë vetëm në pjesën e poshtme.

Por tani politikanë dhe anëtarë të Kongresit po shtrojnë pyetjen se pse fondacioni nuk i përdori fondet e veta që kapnin shifrën prej 30 milionë dollarësh për përmirësime të nevojshme, në mënyrë që monumenti të hapej më shpejt.

Një zëdhënës thotë se fondacioni donte t’i ruante paratë e fondit për projekte për mirëmbajtjen e monumentit. Fondacioni thotë gjithashtu se përpjekjet e tij janë bllokuar në pritje të miratimit nga Shërbimi Kombëtar i Parqeve, që ka nën kujdes objektin.

Kreu i Komisionit të Senatit për financat thotë se marrëdhënia mes Shërbimit Kombëtar të Parqeve dhe fondacionit privat duhet të merren në shqyrtim ashtu si edhe arsyet për shtyrjen e hapjes së objektit. Senatori Demokrat i New Yorkut Charles Shumer ka të njëjtin mendim:

“Nuk e di se kush në Shërbimin e Parqeve, që është një agjenci zyrtare ka lejuar që të ndodhë një gjë e tillë dhe që të shtyhej hapja e statujës për një kohë kaq të gjatë”.

Zoti Shumer është gjithashtu kundër kufizimeve për hyrjn e vizitorëve brenda statujës.

“Nuk ka kuptim që të thuash se mund të hyjnë në pjesën e poshtme, por nuk mund të ngjiten deri tek kurora”.

Në të kaluarën, fondacioni ka thënë se shkallët e ngushta brenda Statujës e bëjnë të rrezikshme ngjitjen lart.

Kryetari milioner i Bashkisë, Michael Bloomberg dhuroi 100 mijë dollarë për fushatën e rihapjes së Statujës së Lirisë. Ai thotë se monumenti as nuk duhej të ishte mbyllur.

“Nuk mendoja se duhej ta kishin mbyllur Statujën e Lirisë. Është simbol i Amerikës. Duhet të ngremë kokën lart dhe të kemi guxim. Nëse do na duhet të shtojmë disa njerëz për masat e sigurisës, në rregull. Por le ta hapim”.

Departamenti amerikan për punët e brendshme që merret me menaxhimin e Shërbimit Kombëtar të Parqeve po heton gjithashtu për vonesat dhe rolin e fondacionit privat. //kk//

XS
SM
MD
LG