Lidhje

Shtëpia e Bardhë bëri publike një memorandum presidencial të 6 gushtit 2001 - 2004-04-11


Shtëpia e Bardhë bëri publike një memorandum presidencial të 6 gushtit 2001, në të cilin jepen hollësi rreth planeve të al-Kaidës për të sulmuar territorin e Shteteve të Bashkuara. Ky dokument u publikua me kërkesë të një komisionit të pavarur, që po bën hetime rreth sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Memorandumi prej 1 faqe e gjysëm me titull “Bin Ladeni i Vendosur të Sulmojë në Shtetet e Bashkuara,” iu dorëzua presidentit më 6 gusht të vitit 2001, një muaj para sulmeve terroriste të 11 shtatorit në New York dhe Washington.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë se memorandumi iu paraqit presidentit në përgjigje të një pyetjeje të tij në se rrjeti terrorist Al-Kaida i Osama Bin Ladenit mund të sulmonte objekte në Shtetet e Bashkuara.

Në atë kohë, analistë të zbulimit amerikan u përgjigjën se nuk mund të vërtetonin njoftime të një plani në vitin 1998 për të rrëmbyer një aeroplan amerikan me qëllim që të negociohej lirimi i personave të arrestuar për shpërthimin më 1993 në Qendrën Botërore të Tregëtisë.

Por memorandumi tregon se Buroja Federale e Hetimeve kishte diktuar ato që cilësohen si përsëritje të veprimtarive të dyshimta në Shtetet e Bashkuara në përputhje me përgatitjet për rrëmbim aeroplanësh dhe sulme të tjera, përshirë survejime nga Al-Kaida të godinave federale në New York, por në të nuk kishte informacion specifik rreth sulmeve të planifikuara.

Në të dokumentohet gjithashtu një telefonatë e bërë në maj të vitit 2001 në ambasadën amerikane në Emiratet e Bashkuara Arabe, sipas së cilës përkrahësit e Bin Ladenit në Shtetet e Bashkuara po planifikonin sulme me eksploziv.

Në një deklaratë që shoqëroi publikimin e memorandumit të gushtit 2001, Shtëpia e Bardhë thoshte se nuk kishte informacion që ndonjëri prej këtyre incidenteve të kishte lidhje me sulmet e 11 shtatorit.

Memorandumi u publikua pas kërkesave të një komisioni të pavarur, që po heton sulmet e 11 shtatorit. Këshilltarja e presidentit Bush për Sigurimin Kombëtaer, Condoleezza Rice, dëshmoi të enjten para atij komisioni, ku tha se memorandumi i gushtit 2001 ishte kryesisht një rishikim i informacioneve të mëparshme dhe nuk përmbante ndonjë paralajmërim për sulme në Shtetet e Bashkuara.

//ze//

XS
SM
MD
LG