Lidhje

Institucionet e Kosovës mirëpresin shkarkimin e drejtoreshës së Agjencisë së Privatizimit - 2004-04-11


Vendimi i shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara, Hari Holkeri, për lirimin nga detyra të drejtoreshës së Agjencisë së Mirëbesimit, Maria Fucci, në Kosovë shihet si shpresë për rifillimin e procesit të privatizimit.

Njëkohësisht ky vendim do të shmangë protestat e paralajmëruara të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Administratori Holkeri shpalli të shtunën vendimin për zëvendësimin e zonjës Fucci, një ditë pasi në një fjalim në Parlamentin e Kosovës, u zotua se do të nxisë rifillimin e procesit të bllokuar të privatizimit.

Qeveria e Kosovës, e vlerësoi këtë vendim si shumë të arsyeshëm dhe të domosdoshëm, duke shtuar se ky nuk është hapi i fundit që duhet të ndërmerret nga Misioni i Kombeve të Bashkuara për rifillimin e procesit të privatizimit.

Për datën 19 prill është caktuar mbledhja e Agjencisë së Mirëbesimit, që është përgjegjëse për privatizimin, ku pritet edhe vazhdimi i këtij procesi, i cili është bllokuar që në tetor të vitit të kaluar duke nxitur kundërshti të thella ndërmjet kësaj agjencie dhe institucioneve vendëse.

Këto të fundit e kritikuan zonjën Fucci për bllokim të privatizimit pas kërkesës për rishqyrtimin e të gjithë tenderëve për shitjen e ndërmarrjeve në pronësi shoqërore dhe zbatimin e ligjeve të periudhës së regjimit të ish presidentit jugosllav, tash të akuzuar për krime lufte, Sllobodan Millosheviq në këtë proces.

Me kërkesë të qeverisë së Kosovës, Parlamenti shpalli të pavlefshëm 52 ligje të kësaj periudhe që cilësohen si diksriminues, vendim ky që nuk është mbështetur nga Misioni i Kombeve të Bashkuara. Qeveria në ndërkohë shpalli të ngrira marrëdhëniet me Agjencinë e Mirëbesimit, deri në shkarkimin e zonjës Fucci nga kjo detyrë.

Kjo kërkesë u plotësua dje dhe vëzhguesit pohojnë se kjo ishte më shumë një gjest i vullnetit të mirë të administratorit të Kosovës Harri Hokeri në përpjekjet për rivendosjen e besimit të lëkundur pas trazirave të muajit të kaluar që lanë pas vetes të vrarë dhe të plagosur dhe shumë dëme materiale dhe për forcimin e partneritetit ndërmjet UNMiK-ut dhe institucioneve vendëse.

Afro 500 ndërmarrje në pronësi shoqërore presin t’i nënshtrohen procesit të privatizimit që vlerësohet si shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës, zhvillim ky i cili është një nga tetët standardet që duhet të përmbushen para fillimit të debateve për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës. //kk//

XS
SM
MD
LG