Lidhje

I paqartë fati i tre japonezëve të rrëmbyer në Irak - 2004-04-11


Fati i tre shtetasve japonezë të rrëmbyer në Irak nuk është i qartë pas njoftimeve se ata do të liroheshin sot.

Familjet e pengjeve shprehën sot shqetësim të thellë ndërkohë që afati i njoftuar për lirimin e tyre po kaloi pa shenja për përmbushjen e këtij premtimi.

Zyrtarë japonezë thonë se po i vazhdojnë përpjekjet për lirimin e pengjeve dhe po hetojnë një njoftim nga rrjeti televiziv al-Xhazira, sipas të cilit një irakian i quajtur Muzhir al-Duleimi pretendon se ishte takuar me pengjet japoneze.

Sipas tij, tani rrëmbyesit kërcënojnë se do të vrasin njërin prej pengjeve nëse Japonia nuk fillon tërheqjen e trupave të saj nga Iraku brenda 24 orësh. Zoti al-Duleimi tha se dy të tjerët do të vriten 12 orë më pas.

Njoftimi i al-Xhazirës nuk është konfirmuar nga burime të pavarura. Stacioni televiziv me qendër në Katar tha më heret se rrëmbyesit kishin në plan t’i lironin pengjet sot.

Kryeministri japonez, Junichiro Koizumi, deklaroi se nuk do të gjunjëzohet perballë kërkesave të rrëmbyesve. Japonia ka në Irak rreth 500 trupave joluftarake të angazhuar në procesin e rindërtimit.

Po sot në afërsi të Bagdadit, persona të armatosur rrëmbyen një shtetas tjetër të huaj, për të cilin ata pretendojnë se është civil amerikan. Administratori amerikan në Irak, Paul Bremer, i tha sot televizionit amerikan se nuk ka informacion të konfirmuar për rrëmbimin.

Ndrëkohë, një grup irakian thotë se mban peng 30 shtetas të huaj, përfshirë japonezë, bullgarë, izraelitë, amerikanë, spanjollë dje koreanojugorë. Grupi ka kërcënuar se do t’i vrasë ata nëse forcat amerikane nuk tërehiqen nga Falluxhah. As njoftimi për këto rrëmbime nuk është konfirmuar nga burime të pavarura.//ii

XS
SM
MD
LG