Lidhje

Qetësi relative në Falluxha - 2004-04-11


Njoftohet se në qytetin e trazuar të Falluxhës mbretëron një qetësi relative në ditën e dytë të një armëpushimi të brishtë. Armëpushimi erdhi pas një javë luftimesh vdekjeprurëse midis forcave amerikane dhe luftëtarëve irakianë që rezultuan në vrasjen e qindra njerëzve.

Zyrtarët amerikanë dhe irakianë thanë se marrëveshja e djeshme për armëpushim është zgjatur për të lejuar vazhdimin e bisedimeve në kërkim të një paqeje më të qëndrueshme në qytetin e predominuar nga sunitë, 60 kilometra në perëndim të Bagdatit.

Shumë irakianë janë larguar nga qyteti ku luftimet sporadike kanë ndërprerë armëpushimin. Marinsat amerikanë kanë ndërmarrë një ofensivë në Falluxha që nga e hëna e kaluar pasi një grup ekstremistësh vranë katër kontraktorë amerikanë pesë ditë më parë.

Sot këshilltari i sapoemëruar për sigurinë kombëtare të Irakut u bëri thirrje banorëve të Falluxhas të dorëzojnë përgjegjësit për vdekjen e katër kontraktorëve amerikanë në përpjekje për të parandaluar veprime të mëtejshme ushtarake në qytet.

Ndërkohë në jug, forcat e koalicionit dhe milicia e klerikut radikat shiit Moqtada al Sadr po punojnë së bashku për të gjetur një mënyrë për ndalur dhunën në qytetet shiite pas disa ditë luftimesh.

Zëdhënësi i ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Kimmitt u tha sot gazetarëve në Bagdad se janë vrarë 70 trupa të koalicionit në mbarë Irakun që nga 1 prilli dhe se nga rradhët e armikut janë vrarë 10 herë më shumë njerëz.

Ndërkohë zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë sot se një ushtar u vra dhe katër të tjerë u plagosën pasi u sulmuan dje në afërsi të qytetit Samarra në veri të Bagdatit.

Zyrtarët japonezë thanë se nuk kanë asnjë informacion lidhur me fatin e tre shtetasve të tyre që u rrëmbyen dhe u kërcënuan me vdekje në Irak. Kryeministri Junichiro Koizumi tha sot në Tokio se ka shumë informacione të pakonfirmuara rreth tre japonezëve që besohet se mbahen nga ekstremistët në afërsi të Falluxhës.

Një grup i vetëquajtur Brigadat e Muxhahedinëve ka kërcënuar se do ti ekzekutojë ata nëse Tokioja nuk do të përmbushte afatin e caktuar për dje pasdite për të tërhequr trupat e saj nga Iraku.

Ndërkohë Kina i bëri thirrje Këshillit Qeverisës Irakian për të shpëtuar shtatë shtetas të saj që mbahen peng po në Falluxha. Agjencia e lajmeve Hsnhua tha se pengjet janë punonjës civilë që hynë në Irak nga Jordania të djelën.

//rd//

XS
SM
MD
LG